Kryeministri Edi Rama u ndal sërish te protesta kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, duke thënë se tashmë ngjarja është zbardhur.

Rama bëri dhe një falënderim të veçantë për kreun e SHCBA, Muhamed Rrumbullaku, dhe kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, teksa tha se ata bënë një punë të jashtëzakonshme në zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt dhe të vërtetë.

“Në këtë rast duhet arsyetuar duke u bazuar te faktet, pa i përfshirë emocionet. Djali u vra në rrethana, të cilat tanimë janë zbardhur. Nuk kanë kaluar një muaj apo shtatë vjet, por vetëm pak ditë. Reagimi ndaj kësaj ngjarjeje nga ana e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të tjera nuk ka asnjë krahasim për mirë me reagime të ngjashme për vrasje të caktuara. Sot në Shqipëri ka akoma të vrarë që kërkojnë drejtësi, madje mes tyre ka dhe të vrarë, vrasja e të cilëve është kthyer në film, për të cilët është arritur të manipulohen provat. Nuk janë ngjarje të para 100 vitesh, por të bashkëkohësisë sonë. Qeveria ka vendosur t’i japë një pension të veçantë familjes, që është një akt përgjegjësie, akt i marrjes pjesë në dhimbjen e familjes. Ai është vrarë aksidentalisht nga punonjësi i policisë, ndaj po merr pension të veçantë. Pa shkuar te dorëheqja e ministrit të Brendshëm, të cilit i shpreh respektin dhe mirënjohjen për këtë leksion në kryerjen e detyrës, si pjesë të detyrës, të kuptimit të thellë të kësaj detyre. Jemi në kushtet kur asnjë krahasim me të shkuarën nuk është i mundshëm, por sfida jonë është me të ardhmen dhe në të ardhmen ka shumë për të bërë akoma. Kjo që ndodhi ishte një rrufe në qiell të pastër, për shkak të skajshmërisë në ushtrimin brutal të forcës, gjë që s’ka ndodhur më parë, por nuk duhet të mbetet pa një reflektim për gjithë sistemin e organizimit të Shqiponjave.

Nuk është nevoja të ndodhë prapë, dhe mos ndodhtë kurrë më, dhe nuk është nevoja të jetë kaq ekstreme ngjarja, por duhet të vlejë për të analizuar në të gjitha nivelet tekniko-profesionale shkallën e gatishmërisë së trupave që janë në atë zinxhir. Nivelin e trajnimit të tyre, cilësinë e trajnuesve të tyre, procesin e trajnimit. Nuk duhet të gënjejë mendja askënd që kjo është një betejë e fituar. Nuk është më përjashtim kur nuk të ndodh, është përjashtim kur të ndodh, por nuk është një përjashtim i pandjeshëm për qytetarët. Të gjitha këto duhen parë me vëmendje, sepse ajo që ndodhi nuk e kthen më në jetë Klodianin, sikur ne të gjithë bashkë të jemi të gatshëm të japim edhe jetën tonë, por ajo që ndodhi duhet të shërbejë jo që kurrë më të mos ndodhi të tilla tragjedi, por që shumë më pak të ndodhin edhe nga ato që nuk janë tragjedi, por drama qytetarësh, drama të evitueshme, në raport me shërbimin nga ana e policisë. Dua t’i shpreh falënderim dhe mirënjohje të veçantë drejtuesit të SHCBA për rastin konkret. Historia e tij dihet, është një nga oficerët veteranë të Policisë së Shtetit, që ka treguar se i shërben shtetit dhe ligjit. Ka lehtësuar jashtëzakonisht shtetin nga baza e dyshimeve për moszbardhjen si duhet të ngjarjes, që sot nuk është më një çështje midis kush e thotë më bukur versionin e vet, por ngjarja është shumë e qartë dhe kjo është meritë e kreut të SHCBA dhe gjithë ekipit të tij. Por, është një meritë edhe e drejtorit të Policisë së Shtetit për integritetin dhe respektimin e procedurave për zbardhjen e të vërtetës sa më parë dhe me drejtësi”, deklaroi kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb