TIRANE – Dy aleatët kryesorë të mazhorancës qeverisëse, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta biseduan dje lidhur me zhvillimet politike në vend. I sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Rama, i veshur si për një ditë fundjave, me duar në xhepa ka kaluar në këmbë pjesën e rrugës nga zyra e tij drejt zyrës së Metës.

Takimi nisi në orën 16:00 dhe Rama është parë të dalë rreth orës 17:37 nga selia e Kryesisë së Kuvendit. Për më shumë se 1 orë e gjysmë, dy aleatët kanë biseduar për të qartësuar qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet që i kanë ndarë kohët e fundit. Asnjë deklaratë zyrtare nuk pati për takimin, ndërkohë që për 20 minuta, në kryesinë e Kuvendit, e pikërisht në zyrën e Metës, erdhi pas Ramës edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Edhe pse i kërkuar nga gazetarët për një sqarim në lidhje me takimin, Rama u mjaftua vetëm duke u uruar “fundjavë të mbarë”.

Ndryshimet
Tema kryesore e bisedës sipas burimeve të “GSH” u fokusua në ndryshimet në qeveri. Kryeministri Rama e ka pohuar disa herë se nuk ka ndërmend të ndryshojë qeverinë, ndërsa kryetari i Kuvendit nuk është përgjigjur për këtë.

Mirëpo, zërat në mjediset politike diskutojnë lëvizje të ministrave të caktuar, si ai i Brendshëm por një dikaster të cilin socialistët dëshirojnë ta kenë vetë, për shkak edhe të përmbushjes së reformës në drejtësi, është edhe ministria që drejtohet nga Naço. Përfliten edhe të tjerë emra për të lëvizur nga kabineti qeveritar, por, për sa kohë një rifreskim i ekipit qeverisës nuk pranohet nga Rama, mbetet ende për të pritur në ditët në vijim.

“CEZ”
Çështja “CEZ” mendohet se është diskutuar mes Ramës e Metës. Ndërsa kryeministri ishte në Amerikë, kreu i Kuvendit është përballur me akuza për marrje ryshfeti. Në mjediset politike dhe mediatike gjatë kësaj periudhe është folur për një lloj ndarjeje mes të dyve. Në fakt, një ndarje qëndrimesh për këtë çështje u vu, kur kreu i Kuvendit kërkoi hetim ndërkombëtar, posaçërisht nga prokurorë amerikanë për këtë çështje. Ndërsa, kryeministri Edi Rama nga Amerika, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” tha se këtë çështje duhet ta hetojë prokuroria shqiptare.

Mes Ramës dhe Metës mendohet të jetë folur për mënyrën se si do të vijohet diskutimi edhe në Kuvend, pasi PD-ja ka bërë një kërkesë në Kuvend, e cila ka hyrë tashmë në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Takimet Rama-Meta kanë qenë periodike, madje çdo të mërkurë, dhe janë zhvilluar në kryesinë e Kuvendit, por takimi i fundit mes tyre ishte në fillim të shtatorit, para nisjes së sesionit parlamentar. Ashtu si për takimin Rama-Meta, edhe për atë që vijoi më pas mes Metës dhe Naços nuk pati një version zyrtar.

Pak ditë më parë, kreu i Komisionit të Sigurisë, në Kuvend, Spartak Braho u dërgoi një letër presidentit, kryeministrit, ministrit të Brendshëm etj., ku flitej për destabilizim të vendit. Pavarësisht të gjitha hamendësimeve për çështjet që janë biseduar mes Ramës, Metës dhe këtij të fundit e ministrit Naço, situata në vend, por edhe marrëdhëniet brenda koalicionit, duket qartë se kanë pësuar rënie. Ftohja mes aleatëve është dukur edhe në deklaratat që kreu i LSI-së bëri nga Skrapari.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb