Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ u pyet për deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili të enjten në Kuvend i cilësoi kryeministrin Edi Rama, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta, si Trekëndëshi i Bermudës.

Kryemadhi u tregua e rezervuar për qëndrimet e kreut të PD-së, ndërsa e cilësoi këtë deklaratë si: “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”.

Pyetja-Gjatë një fjalimi të enjten në Kuvend kreu i PD-së Lulzim Basha e cilësoi, zotin Rama, Berisha dhe Meta si trekëndëshin e të keqes në Shqipëri, si edhe e cilësoi Trekëndëshi i Bermudës

Kryemadhi: Për mua asgjë e re nga fronti i lindjes.

Pjesë nga fjalimi i Bashës në Kuvend ku deklaroi se një pas një, brinjët e “Trekëndëshit të Bermudës” do të bien dhe shqiptarëve do t’u hapet rruga e mbyllur 30 vite.

“Pra që t’i themi gjërat shkoqur dhe qartë, këtu ka një betejë midis 30 viteve llum të tranzicionit, ku padiskutim maja e llumit je ti, padiskutim llumi nuk i takon vetëm një partie, kemi edhe ne pjesën tonë të llumit, por unë të siguroj që atë pjesë tonën të llumit që e ke peshkuar mirë tetë vitet e shkuara, një pjesë e ke pasuruar, një pjesë e ke graduar, një pjesë e ke grepuar, e ke përdorur, e ke hedhur kundër opozitës, e ke hedhur kundër ndryshimit, kundër proceseve demokratike, që në fund të fundit çfarë janë?!
Janë mënyra e një shoqërie për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Pa kaluar në përplasje sociale. Atë pjesë të llumit Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur ta pastrojmë deri në fund. Sado të subvencionosh ti oligarkët dhe mediat e kapura për të kundërtën. Sakrifica e demokratëve, në emër të shqiptarëve, nuk do të shkojë kot. Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk do të mbajë gjatë.
Vendosmëria ime është e pakthyeshme!
‘Trekëndëshi i Bermudës’ i ka ditët e numëruara! Kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim, nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve, ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e “Trekëndëshit të Bermudës” do të bien! Shqiptarëve do t’u hapet rruga e mbyllur 30 vite”, deklaroi Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: