“Corriere della sera” ka publikuar ditën e sotme të dhëna në lidhje me një projekt i cili do të dërgojë ujë nga Shqipëria për në Itali.

Sipas medias italiane, uji do të merret nga Gjirokastra dhe do të dërgohet në rajonin e Pulias.

Bëhet fjalë për një projekt i cili përfshin një infrastrukturë prej 85 kilometrash tubacione nënujore, 120 kilometra tubacion tokësor dhe do të ketë një kosto prej rreth 1 miliard euro.
Synohet që të furnizojë me ujë një zonë e cila deri tani ka pasur mungesa dhe është furnizuar nga zonat përreth.

Presidenti i Confindustria Puglia që përfaqëson kompani italiane që prodhojnë në vendin tonë, Sergio Fontana, ka marrë një ide e cila ishte hedhur edhe më parë dhe ka krijuar këtë projekt. Në asamblenë e territorit të Barit ai kërkoi kthimin e vëmendjes tek ky projekt.

“Këtu, në Pulia, ne mund të jemi një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi ‘Ujësjellësin Puliez’, më të madhin në Evropë. Kemi edhe stacionin e parë kontraktues në Pulia. Të bashkuar nga deti Adriatik kemi përballë Shqipërinë. Një vend shumë të pasur me ujë.

Ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme të mira me Shqipërinë. Kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz. Të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik mes Pulias dhe Shqipërisë”, tha ai.

Për të ndërtuar një projekt të tillë të këtyre përmasave, do të duheshin katër vite punë.

Synimi është transportimi i 150 milionë metër kub ujë në vit në Pulia me një tubacion që do të kalojë në det dhe që në pikën më të thellë do kapte 850 metra thellësi.

Media italiane raporton se javët e fundit presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano i shkroi kryeministrit Edi Rama për të shprehur interesin për zbatimin e një projekti të tillë.

Nga ky projekt sipas Corriere della sera do të përfitonte Italia në mes të një krize thatësire të shënuar vitet e fundit, por se edhe Shqipëria do të kishte përfitimet e saj sa i përket vendeve të punës që do të hapen, që mendohet të jenë rreth 8.000

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb