“Autostradat mund të mos sjellin demokracinë, por demokracia pa autostrada është një rrëmujë që shkon për dreq”. Kështu deklaroi nga Athina kryeministri Edi Rama ku ishte i ftuar në edicionin e 23-të “Symi Symposium”, organizuar e drejtuar nga ish-kryeministri i Greqisë George Papandreou.

I pyetur për integrimin e Ballkanit Perëndimor me një treg të përbashkët në tregun e BE dhe ndërlidhjes në rajon, duke i kujtuar më herë se ka hyrë në politikë si artist dhe si piktor, ndërkohë që është në mandatin e tretë, Rama tha pa modesti se është kryeministri më i mirë mes piktorëve dhe piktori më i mirë mes kryeministrave.

Duke u kthyer tek Shengeni Rajonal, ai tregoi kundërshtitë e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç vite më parë, duke theksuar se duhet të bëhet gjithçka për ta bërë rajonin e Ballkanit Perëndimor të ngjashëm me BE-në sa i përket katër lirive të lëvizjes.

“Faleminderit që më dhe mundësinë që të përmendem për atë që jam, jam kryeministri më i mirë mes piktorëve dhe piktori më i mirë mes kryeministrave, këtu jam i pashoq, George u përpoq por nuk ia doli sfidës dhe nuk ka askush që më sfidon këtu. Në Ballkan kemi nevojë të themi që jemi më të mirët në botë për diçka.
Është shumë e qartë që ndërkohë që përgatitemi për dasmën na duhet të bëjmë gjithçka për ta bërë rajonin një rajon të ngjashëm me BE-në për të zbatuar 4 liritë e BE-së, për t’i bërë fluide kufijtë, për ta bërë tregtinë të tillë.
Koha e pritjes së kamionëve në kufijtë ballkanikë për të kaluar mes tyre, për të shkuar në Selanik apo në Durrës është 1100 vjet në vit, kamionët presin 1100 vjet në kufi vetëm për të kaluar barrierat jotarifore të rajonit dhe për të paraqitur dyfish, trefish ndonjëherë dokumente për aspektin fitosanitar për shembull, kështu që zgjidhja e kësaj do ishte çlirimi i jashtëzakonshëm i një potenciali. Nëse do arrijmë të kemi këtë, efekti në PBB do ishte i madh, thjesht me këtë, pa investime, thjesht duke hequr barrierat. Me përkufizim nuk më pëlqejnë gjërat mini, e nisëm procesin si një zonë rajonale e Shengenit për ta përkufizuar çfarë ishte kjo, një zonë ku zbatohen të katërta liritë. Humbën disa vjet pasi Vuçiç donte lëvizjen e lirë të mallrave, të kapitalit, por jo të njerëzve sepse po të binte dakord me këtë nënkuptonte që kufiri mes Kosovës e Shqipërisë do ishte formal. Ai ndërkohë e hodhi hapin më tej që është shumë e rëndësishme sepse i thashë që në qoftë se nuk e pranon për të katërta liritë, po bëjmë atë që kemi bërë përgjatë historisë, karikatura e origjinalit. Më në fund u ra dakord dhe kjo praktikisht hap një horizont të jashtëzakonshëm mundësish. Kosova dhe Bosnja nuk duan, pse, si mund të mos duash një gjë që të bën të lirë. Ajo për të cilën kemi rënë dakord me Zoran dhe Aleksandrin është që largqoftë kjo nuk është si BE-ja, nuk kemi pse të bëjmë këtë gjënë e konsensusit, si në rastin e Bullgarisë, jo nuk e bëjmë këtë gjë se kemi ca gjëra të 1900 për të zgjidhur. Autostradat mund të mos sjellin demokracinë, por demokracia pa autostrada është një rrëmujë që shkon për dreq”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb