BRUKSEL- Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin për Ballkanin që zhvillohet në Bruksel, organizuar nga Komisioni Europian. Ndërkohë sot Rama ka patur një mëngjes pune me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi. Në këtë takim është diskutuar për projektet e përbashkëta mes dy vendeve dhe projektet nga të cilat Shqipëria dhe Kosova do të përfitojnë si rezultat i procesit të nisur në Berlin nën udhëheqjen e Kancelares Merkel.

Kryeministri Rama është takuar edhe me Kryeministrin e Malit të Zi Gjukanovic me të cilin ka diskutuar rreth projektit të autostradës Adriatiko Joniane, projekt që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Greqinë. Dy Kryeministrat diskutuan edhe mbi projekte te përbashkëta në fushën e turizmit, sidomos në zonën e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.

Kryeministri i Shqipërisë është takuar edhe me Komisioneren për Politikën e Jashtme Mogherini, me të cilën ka diskutuar të ardhmen europiane të vendit tonë si edhe punën e qeverisë shqiptare dhe reformat e ndërmarra për të përmbushur 5 prioritetet që e afrojnë Shqipërinë edhe më shume me Bashkimin Europian.

Rama u takua sot edhe me Kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç. Biseda mes dy Kryeministrave u përqendrua në projektet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit perëndimor, të cilat do të paraqiten në takimin e sotëm mes drejtuesve të këtyre vendeve dhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian.

Projektet më konkrete për të cilat dy Kryeministrat dhanë mbështetjen e tyre të plotë ishin autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug të vendit tonë.

Kryeministri Rama theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tejet të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik e social të Ballkanit dhe Europës në tërësi. “Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara”, – theksoi Rama, “duke bërë sëbashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas luftës së dytë botërore për Europën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin”.

Kryeministri Vuçiç shprehu mbështetjen e qeverisë serbe për projektet në fjalë dhe theksoi se “Bashkimi Europian duhet të kuptojë dhe mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja projekteve në fjalë do të nxisin ekonominë e të dy vendeve”.

Kryeministri serb konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri në fund të muajit maj ku do të marrë pjesë në konferencën e SECP që do të zhvillohet në Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: