Në takimin “Bashkia që Duam” që u ndal këtë pasdite në Durrës, aty ku Vangjush Dako shprehu dëshirën për të punuar akoma, nuk pati një konfirmim nga kryeministri Edi Rama për Vangjush Dakon.
Rama e vlerësoi punën e bërë nga Dako në Bashki, tha se zgjedhjet vendore do të mbahen me çdo kusht, por nuk tha emrin e kandidatit për Bashkinë e qytetit bregdetar.

“Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet e 30 qershorit, do shkojmë për ato shumë gjëra që duhet të bëjmë. Përpara 4 vitesh ju kemi thënë do zgjidhet problemi i kanalizimeve dhe do jetë drejt zgjidhjes furnizimi me ujë dhe kjo ka ndodhur. Do transformojmë Porto Romanon në një park të ri. Nuk diskutohet se janë një sërë projektesh të mira e kësaj bashkie falë Vangjushit që ka pasur projekte. Kështu që mos dëgjoni jo po do bëhen zgjedhje të parakohshme, jo po do shtyhen, jo po do vijnë ndërkombëtarët do thonë meqë po qan Luli jepi biberonin. I dhamë 15 biberonë para dy vitesh, ai prapë nuk rritet. Le të rrijë në rrugë dhe të forcohet të bëhet gati më 2021. Se dëgjova dhe këtë juristin Bylykbashin jo nuk hyjmë në zgjedhje: Ti mos hy se i humbur del prapë. Ne do i bëjmë zgjedhjet si me ata, si pa ata. Sa herë ju ka rraf Dako kur e kishit ju qeverinë? Nicja ishte me ju, po kjo nuk na shqetëson. Nuk është detyra jonë të rrisim opozitën. Vazhdojmë rrugën përpara për Durrësin që duam”,- tha Rama, duke mos e rikandiduar Dakon.

Gjatë takimit, Rama tha se media dhe politika e ka ekzagjeruar duke përmendur Dakon dhe Niçen. “Këtu kemi qenë 5 vite e gjysëm përpara, kur këta (PD) nxirrte të burgosurit në prag të zgjedhjeve. Këta tashi që nuk ndalojnë Niçja, Niçja, Niçja. Na u bë Niçja si Aleksadër Moisiu. Na u bë Niçja si Luciano Pavarotti. Të njëjtin shirit e përsërisin disa herë”.

Që kur emri i Dakos u përmend në përgjime për mbledhjen e votave me një prej vëllezerve “Avdylaj”, “Nicen” e arrestuar për trafik droghe, u përfol se ai nuk do të rikandohej më në Durrës.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb