Kryeministri Edi Rama theksoi sot nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që vendet në këtë rajon të punojnë ngushtë për të bërë gjithçka është e mundur për të mos lejuar që çfarëdo lloj ndikimi apo ideje që mund të prekë, përmes çdo lloj veprimi Ballkanin Perëndimor, të gjejë hapësirë.

Kryeministri Rama mori pjesë në panelin “Rrugët Rajonale dhe Globale për Paqe dhe Prosperitet”, pjesë e Forumit të Diplomacisë me gazetaren Maria Ramos, në Antalia, Turqi.

“Nuk ka asnjë dyshim që ajo çfarë ka ndodhur me pushtimin e Ukrainës nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Qëndresa e ukrainasve është më shumë qëndresë për vendin e tyre. Është qëndresë për ato vlera dhe mënyrë jetese që është edhe e jona. Sigurisht Ballkani Perëndimor ku jetojmë është një pjesë e prekshme e të gjithë organizmit të Evropës, sepse është një kombinim midis vendesh të NATO-s, jo anëtare të NATO-s dhe midis vendesh me histori të ndryshme lidhur me aleancat e tyre. Sigurisht është shqetësuese”, u shpreh Rama.

Rama informoi se gjatë takimit të zhvilluar me presidentin e Turqisë, Recep Taip Erdogan kishte biseduar lidhur me nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor.

“Unë sapo dola nga një takim me presidentin Erdogan, ku diskutuam saktësisht lidhur me nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të punuar ngushtë midis nesh në Ballkanin Perëndimor dhe për të bërë gjithçka mundemi për të mos lejuar që çfarëdo lloj ndikimi apo ideje që mund të prekë përmes çdo lloj veprimi Ballkanin Perëndimor të mos gjejë hapësirë“, theksoi Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryeministri theksoi se procesi i hapjes së Ballkanit, e sjelljes së vendeve bashkë, për një të ardhme më të mirë, për zbatimin midis vendeve të 4 lirive të Evropës, ishte hapi i duhur për t’u hedhur.

“Unë besoj se ajo që ka nisur tashmë si proces hapjeje i Ballkanit, i sjelljes së vendeve bashkë, për një të ardhme më të mirë, për zbatimin në vendet tona dhe midis vendeve tona të 4 lirive të Evropës, ishte hapi i duhur për t’u hedhur, ndërsa e shohim veten në këtë situatë. Është shumë e rëndësishme të punojmë fort për të ruajtur atë që kemi arritur, për të ecur para, pa rënë pre e provokimeve dhe pa rënë pre e lëvizjeve të cilat mund të mos jenë lëvizje të duhura, në kohën e duhur, pa harruar në të vërtetë që në fund të fundit, ne jemi aty në mes të Evropës dhe e ardhmja jonë është në Evropë. Dhe sigurisht, me tre vende të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, është shumë e rëndësishme ajo çka bëjmë dhe më pas, kur je i qartë për atë çka bën, pjesa tjetër është më pak shqetësuese”, tha Rama.

Rama tha se Ballkani Perëndimor është vulnerabël për një sërë arsyesh.

“Ballkani Perëndimor është vulnerabël për një sërë arsyesh. Sepse kemi pasur një histori ndryshe nga historitë e vendeve që tashmë janë anëtare të BE-së. Po të flas për Shqipërinë, ajo ka pasur një histori krejt ndryshe, sepse ne kishim një regjim komunist, i pakrahasueshëm me pjesën tjetër të perandorisë komuniste në Evropë. Shqipëria qe Koreja e Veriut të Evropës, nuk kishim raketa, por mund të na çonin në burg për shkak të Elton John”, u shpreh ai.

Kryeministri u ndal edhe në përpjekjet që ka bërë vendi ynë për t’u bërë pjesë e BE-së, ku theksoi se kjo po bëhet e ndërlikuar për shkak të vetë BE-së.

“Ne dolëm nga kjo e shkuar tejet e errët dhe ja ku jemi duke bërë përpjekje për t’u bërë pjesë e BE-së, një përpjekje që po bëhet gjithmonë e më e ndërlikuar për shkak të vetë BE-së”, tha ai.

Rama foli edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, të cilën ai e cilësoi si vulnerabël, ndërsa shpjegoi edhe pse ai e sheh të tillë.

“Në të njëjtën kohë, na duhet që të merremi edhe me ndikimin e aktorëve të tretë, mes të cilëve një është edhe Rusia, jo në Shqipëri saktësisht, sepse në Shqipëri i kemi pasur më parë dhe ndaj nuk biem pre e kësaj miqësie, por në vende të tjera. Në këtë pikë Ballkani Perëndimor është vulnerabël, qoftë edhe për shkak të dallimit ekonomik me pjesën tjetër të Europës. Kështu mendoj se na duhet të kuptojmë se fati ynë është pikësëpari në duart tona, dhe na duhet të punojmë për të përqendruar rajonin gjithmonë e më tepër drejt një të ardhmeje të përbashkët dhe për t’u siguruar që çdo fqinj e çdo marrëdhënie fqinjësie të bëhet kaq e rëndësishme, sa asnjë faktor i jashtëm të mos e cenojë atë”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri më tej foli edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, teksa theksoi se Shqipëria është gati.

“Shpresoj se ajo që po ndodh këto ditë do të shërbejë, në një farë mënyre për të hedhur një farë drite dhe për të sjellë një lloj ndërgjegjësimi për vendet e mëdha të BE-së, sidomos, të cilat nuk kanë parë luftë gjatë jetës së tyre. E kam fjalën për brezin që sot udhëheq BE-në. Ndaj, për ta është bërë gjithnjë e më tepër problem të merren me opinion publik, se sa të ecin para me atë që etërit themelues përfytyruan dhe hartuan si një shtëpi e përbashkët. Ky proces ka humbur si në përkthimin e paragrafeve të pafundëm të burokracisë europiane. Sa i takon Shqipërisë, e sa më takon mua, ne duhet të ecim me reformat, për të bërë shtetet tona evropiane, mbështetur në të njëjtat parime e vlera me të cilat funksionon BE-ja, me të njëjtat standarde si në BE, jo sepse njerëzit në Paris a Bruksel na e kërkojnë këtë, por sepse është ajo që duam të bëjmë për fëmijët tanë. Se kur e formalizon BE këtë proces, nuk na takon më ne”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Rama tha se BE nuk po mban premtimet, ndërsa shprehu besimin se agresioni rus ndaj Ukrainës do të ndryshojë gjërat.

“Sipas fjalës të tyre ne jemi përgatitur për këtë “dasmë” disa herë, por “nusja” nuk erdhi. Kështu tani nuk do të përgatisim me “dasmë” dhe do të punojmë dhe do të jemi aty kur të jenë gati të martohen. Sepse ata nuk janë në gjendje të mbajnë premtimet e tyre. Ndoshta kriza në zemër të Evropës tashmë, me këtë agresion ushtarak të paimagjinuar vetëm pak kohë më parë ndaj një vendi demokratik, do t’i zgjojë në një farë mënyre dhe do t’i bëjë të kuptojnë nevojën për të farkëtuar paqen çdo ditë, pa e marrë atë të mirëqenë. Dhe ndoshta edhe gjeopolitika do të bëhet edhe më e ndjeshme, duke kuptuar se Ballkani Perëndimor është shumë më mirë të jetë brenda se sa të lihet në periferi të Evropës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi faktin se shqiptarët janë njerëzit më proevropianë në rajon. Madje sipas tij, ndoshta edhe më proevropianë se sa francezët. “Nëse edhe kjo nuk mjafton për BE-në nuk ka problem për ne”, shtoi ai.

Krahas procesit të integrimit, derisa sa BE të jetë gati, Rama tha se do të punohej për rritjen e bashkëpunimit mes 6 vendeve të rajonit.

“Do të përqëndrohemi te rajoni, të përkujdesemi për rajonin tonë, sepse aty duhet të ruajmë sa më shumë të jetë e mundur atë që kemi arritur deri tani, dhe të bëjmë më shumë përparim për të arritur paqe midis vendeve, në mënyrë që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të njihen, respektohen dhe të jenë në vendin që u takon”, u shpreh Rama.

Megjithatë kryeministri u kujtoi liderëve evropianë se mungesa e udhëheqjes, e strategjisë, e kurajos për të punuar më tej mbi projektin e etërve themelues sjell një kosto shumë më të lartë.

“Nëse kjo luftë nuk do të jetë mjaftueshëm, nuk e di se çfarë duhet të vijë, që ky mesazh të shkojë tek të mëdhenjë e Evropës që marrin vendime, se nuk mund të vazhdojnë në këtë mënyrë, duke dhënë premtime dhe duke mos i mbajtur ato, sepse bota është gjithmonë e më tepër e ndërlikuar dhe mungesa e udhëheqjes, strategjisë e kurajos për të punuar më tej mbi projektin e etërve themelues mund të rezultojë në fund e të sjellë një kosto shumë më të lartë, dhe nuk dëshiroj që ky të jetë rasti”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburantit që në fakt, siç u shpreh moderatorja, është problem i madh për qytetarët shqiptarë, ashtu si në vendet e tjera të botës.

“Kjo është një luftë, ky nuk është dokumentar në Netflix, nuk është një film, kjo është luftë e vërtetë. Ndërkohë që, jemi këtu e flasim për këtë, ka dhjetëra e mijëra gra e fëmijë, të cilët janë në lëvizje për të dalë nga qytetet e tyre që bombardohen për të dalë nga vendi i tyre dhe ka burra e djem, të cilët duhet të qëndrojnë dhe të luftojnë e të venë jetën e tyre në rrezik. Ne kemi vendosur të jemi pjesë e kësaj. NATO ka vendosur të jetë pjesë e kësaj dhe vende të tjera jo anëtare të NATO-s kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj, duke u bashkuar me sanksionet. Gjithashtu edhe vende mjaft të largëta, që kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj, po ndjejnë pasojat dhe goditjen e parë, në formën e çmimeve të larta”, tha Rama.

“Do jetë mjaft përcaktuese për këtë luftë shkalla e durimit, kufiri i durimit të njerëzve në atë anë që është në mbështetje të Ukrainës, por që nuk është e përfshirë drejtpërdrejtë, që e ndjek luftën, por ende prej ekraneve dhe nuk e ndjen uturimën e bombave dhe dhimbjen e shkatërrimit. Sa do mund ta përballojnë këta njerëz dhimbjen e çmimeve e të një ekonomie që nuk do jetë në gjendjen më të mirë, për të thënë një eufemizëm”, vijoi Rama.

“Kur po fliste miku ynë nga Afrika lidhur me efektet e menjëhershme që shfaqen në të gjitha vendet afrikane, një kontinent krejt tjetër, qysh prej nisjes së luftës në rritjen e çmimeve, e kupton sërish që bota është bërë shumë e vogël dhe që nuk ka asgjë që ndodh diku dhe të mos jetë e lidhur me një vend tjetër.

Kishim pandeminë, kemi luftën dhe paralelisht me luftën kemi një pandemi tjetër, pandemia e energjisë, dhe jemi shumë larg fundit të saj me ose pa ujë, pasi më lini t’ju kujtoj që kriza e energjisë nisi më parë. Kështu që, simptomat e krizës energjetike u shfaqën muaj para luftës. Pa diskutim që përfshirja e drejtpërdrejtë e Rusisë si agresor në luftë e çoi në një tjetër nivel krizën. Por, kriza e energjisë ishte aty, e pranishme në formën e mungesës së ofertës. Ajo çka vjen më pas do jetë e vështirë për t’u përballuar, por nuk ka shumë për të thënë, por të përpiqemi dhe t’i shohim faktet si duhet”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Ne mund të kemi dallime mendimesh, por jo dallime faktesh dhe ky është një tjetër problem i kohëve tona; shumë palë, grupe ose edhe vende apo njerëz kanë fakte të ndryshme ndaj është e vështirë të gjejmë një pikë të përbashkët. Kjo është pjesë e luftës, fakt është që lufta po na ndikon dhe fakt është që nëse duam që vlerat tona, parimet tona, standardet tona, mënyra jonë e jetesës të triumfojë, duhet të jemi të gatshëm të paguajmë pjesën tonë të çmimit. Nuk mund të ndodhë që, nga njëra anë, duam që gjithçka prej këtyre të triumfojë, jo vetëm Ukraina, por edhe ajo çka përfaqëson Ukraina, por nga ana tjetër, të mos jemi në gjendje të durojmë dhimbjen”, tha Rama.

“Natyrisht që, është dhimbje krejt tjetër dhe është dhimbje krejt më e pranueshme se sa ajo e ukrainasve, por sërish është diçka e dhimbshme. Pas pandemisë, siç e thamë, po shihnim rimëkëmbje, po shihnim një hop përpara si botë dhe ndërkohë kthehemi pas që, në disa aspekte, është një situate edhe më e zymtë se vetë pandemia. Kjo është sprovë mendoj, sprovë për karakterin tonë, për bindjet tona dhe kapacitetin tonë për të qëndruar pavarësisht çmimit. Gjithkush duhet ta kuptojë dhe duhet ta shpjegojmë që kjo nuk ka të bëjë vetëm me vendet që janë të përfshira apo me vendet që kanë vendosur sanksione.

Të gjithë, me ose pa sanksione kanë sot një problem dhe ne po shohim sërish të njëjtën gjë që pamë me pandeminë, se si vendet u tërhoqën dhe u mbyllën në vetvete.

Ju folët për vaksinimin në Afrikë. Unë nuk jam afrikan, ndodh që jam i bardhë, kështu që mund ta them. Është racizëm, është thjeshtë racizëm i mirëfilltë, në një formë mjaft të nënkuptuar, por sigurisht, si ta shpjegosh? Si ta shpjegosh atë që po ndodh me nigerianët e shkretë në kufi që po përpiqen të dalin? Sapo u shkruam autoriteteve nigeriane dhe u thamë “Le të vijnë në Shqipëri” sepse është fyese, është fyese kundrejt nesh, kundrejt traditës sonë, kundrejt fëmijëve tanë që të shohin këto lloj ndasish. Po Afganistani? Po atyre njerëzve që u thamë “Ne po vijmë aty për të sjellë demokracinë, për t’ju sjellë paqen, për t’ju sjellë mirëqenie, për t’ju sjellë rock and roll” dhe papritur i lamë më keq seç ishin 20 vjet më parë sepse këtë herë, i lamë plotësisht të ekspozuar, plotësisht të ekspozuar si bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe tashmë u duhet që të përballen me jetë a vdekje. Ndjehem i turpëruar kur njerëzit thonë “A Shqipëria sa mirë e keni bërë, ju hapët dyer, ju bëtë një gjë të shkëlqyer”. Kjo është e tmerrshme. Nëse kjo është e shkëlqyer, kjo nënkupton “e tmerrshme” sepse ky duhet të jetë rregulli”, u shpreh Rama.

“Kjo nuk duhet të jetë “e jashtëzakonshme”, por duhet të jetë diçka që të gjitha vendet duhet ta bëjnë. E mira e udhëheqjes së vendeve si Shqipëria është se në fund të fundit, thua atë që mendon se nuk të duhet të marrësh vendime të mëdha. Pavarësisht se çfarë të tjerët mendojnë, punë e madhe. E vërteta është shumë e rëndësishme. Na duhet të përballemi me të vërtetën, me të vërtetën, me të vërtetën. Nuk mund të fshihemi pas gjërave të ndërlikuara. 10% vaksinim? Sepse është racizëm, kaq. Nuk ka shpjegim tjetër”, përfundoi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb