Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta i ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ në News24 ka folur në lidhje me aferën e inceneratorëve në vend, shembjen e paligjshme të ‘Prestige Resort’, atë të projektit të Portit të Durrësit dhe investigimin e News24 që ka zbuluar skandalin e korrupsionit në dogana.

I pyetur në lidhje me aferën e inceneratorëve Meta deklaroi se është një çështje ku SPAK ka qenë favorizues ndaj qeverisë dhe nuk ka pasur asnjë veprim, ndërsa shtoi se në krye të saj është kryeministri Rama i cili përpiqet të vonojë e devijojë hetimet duke sakrifikuar disa persona që për të janë ‘mish për top’.

Meta vijoi më tej duke dënuar shembjen e paligjshme të ‘Prestige Resort’, teksa tha se është rasti më i freskët i mos funksionimit të drejtësisë në vend, pasi ka pasur një çështje në gjykatë dhe nuk është pritur vendimi i këtij institucioni për prishjen e objektit.

Sa i përket investigimit të News24 në dogana Meta tha se drejtësia nuk ka vepruar sepse do të demoralizohej një sistem i tërë korruptiv që vjedh shqiptarët dhe që e ka kthyer korrupsionin në një qëllim shtetëror ku përfiton vetëm një pakicë.

Meta preku dhe çështjen e projektit të portit të Durrësit, teksa deklaroi se është një aferë që implikon drejtpërdrejt kryeministrin që është thellësisht i interesuar në këtë mega-projekt të pastrimit të parave , ndërsa e cilësoi këtë projekt si një aventurë që do krijojë shumë probleme ekonomike e sociale ndër të tjera.

“Inceneratorët janë një çështje ku SPAK e ka favorizuar këtë aferë për shkak se është denoncuar prej shumë kohësh, unë e kam denoncuar me fakte e shifra dhe nuk ka pasur asnjë veprim. Në krye të saj është kryeministri aktual që përpiqet ti vonojë hetimet, t’i devijojë ato dhe gjithmonë t’i largojë nga vetja duke sakrifikuar disa persona që për të janë vetëm mish për top. Në këtë çështje kemi të bëjmë me një organizatë të qartë kriminale, nuk kemi të bëjmë me një person. Këto janë veprime të strukturuara kriminale në nivelin më të lartë të qeverisjes.

Kemi shembjen e teatrit kombëtar, një vepër kriminale sepse çështja ishte në gjykatë por në gjithë elementin e saj është vepër kriminale. Kemi qindra milionë euro që ka humbur vendi, rasti Bechetti është për tekat e kryeministrit. Kush mban përgjegjësi për këto, kemi dhe rastin më të freskët me ‘Prestige Resort’. Kemi një çështje në gjykim dhe pritet një vendim dhe kjo pronë mund të merret nga pronari dhe të administrohet nga shteti, këto veprime tregojnë mos funksionimin e shtetit të së drejtës.

Nuk ka pasur hetime mbi investigimin e News24 sepse bie skema e korrupsionit, dhe mund të demoralizojë një sistem të tërë që duhet për të vijuar vjedhjet te shqiptarët. Korrupsioni është kthyer në një qëllim shtetëror dhe përfiton vetëm një pakicë. Mos të harrojmë që niveli i të ardhurave në vend është rreth 27% në raport me produktin e përgjithshëm, ndërsa në vendet e rajonit është rreth 45%. Për ne kjo është rreth 2.5 miliardë euro që vidhen në vit nga qytetarët.

Porti i Durrësit është një aferë shumë e qartë që implikon kryeministrin që është thellësisht i interesuar në këtë mega-projekt të pastrimit të parave, nuk është investim strategjik të bësh apartamente, është një dëm i madh që i bëhet portit kombëtar dhe historik të Durrësit. Është një aventurë e jashtëzakonshme sepse e dimë që një projekt i ri do kërkojë shumë kohë dhe investim, do sjellë shumë probleme ekonomike e sociale. Pse nuk lëviz drejtësia, sepse është e kapur nga Edi Rama”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb