MALESI E MADHE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur pasditen e sotme në Malësi të Madhe për të zhvilluar një takim elektoral me banorë të zonës. Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se në këtë zonë kanë munguar prej vitesh investimet, ndërsa u shpreh se me votën e 21 qershorit do t’i jepet një frymë e re zhvillimi.

“Kemi projekte për zhvillimin e këtyre zonave. Por deri më tani asnjë kryetar bashkie apo komune nuk na ka trokitur në zyrë për të zgjidhur qoftë edhe një problem të vetëm për komunitetin që drejton. Nga krahu tjetër është një trupë cirku që shkon nëpër Shqipëri duke treguar përralla nga më të ndryshme. A thua se dritat do jenë qyl, taksat do hiqen, apo kështu me radhë. PD nuk flet fare për problemet me të cilat merret bashkia, po flasin për këto të tjerat. Si mund të bëjë një kryetar bashkie këtë që thonë këta, si mund të kthehet mbrapsht reforma territoriale. PD është në drejtim të paditur, sa nuk e ka shansin të tallet me vetveten, kujton se do gjejë nëpër Shqipëri budallenj që të dëgjojnë një përrallë me të cilët qytetarët u ndanë në zgjedhjet e qershorit 2013. këto janë zgjedhje për familjet shqiptare, e jo për partitë. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me nevojat e çdo familje e çdo qytetari”, tha kryeministri Rama.

Ndërsa ka kërkuar votën e qytetarëve për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për këtë bashki, Rama tha se edhe ata banorë që janë demokratë “Saliun të mbajnë për mbret, por për shërbëtor të zgjedhin Toninin”.

“Ne jemi të vetmit që dimë të bëjmë shtet, jemi të vetmit që t’i bëjmë punët ashtu siç duhet, dhe të çojmë vendin në drejtimin e duhur. Unë e di se këtu ka familje që kanë kushte të vështira ekonomike, që nuk kanë qoftë edhe një anëtar të familjes në punë. Por e di se ishin shumë më shumë ata që ishin të pashpresë para 18 muajsh. Ne nuk i kemi zgjidhur këto të gjitha, kemi shumë për të bërë, por ama i kemi vënë problemet në drejtimin e duhur të zgjidhjes së tyre”, vijoi kryeministri.

FJALA E KRYEMINISTRIT RAMA:

Përshëndetje dhe shumë mirënjohje për këtë mikpritje të jashtëzakonshme, në këtë shesh ku ne nuk mblidhemi për herë të parë, po ku sot, unë jam pak i trishtuar, sepse e gjithë dita që ka filluar në Fushë-Arrëz ka vazhduar në Pukë dhe tani vazhdon këtu, ka qenë një ditë në stacionet e qyteteve ku drejton Partia Demokratike.

Sot nuk kam pasur mundësi të ndaloj në një nga ato qytete ku prej 18 muajsh ka filluar të fryjë era e rilindjes dhe e ndryshimit dhe ku drejtojnë kryebashkiakët socialistë dhe progresistë. Por, që nga paraditja e deri tani, dita më ka sjellë në vende, të cilat janë absolutisht njësoj siç kanë qenë edhe para dy vitesh. Janë absolutisht njësoj siç kanë qenë përpara 23 Qershorit, sepse në të gjitha këto bashki është sot e gjithë ditën, nevoja për të ndjekur ndryshimin e madh të 23 Qershorit. Për të ndjekur ndryshimin, duke zgjedhur në 21 Qershor kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, në mënyrë që edhe Fushë-Arrzi, Puka dhe bashkia e re e Malësisë së Madhe t’i bashkohen lokomotivës dhe trenit të ndryshimit të pandalshëm që ka filluar në të gjitha bashkitë që drejtojnë socialistët dhe progresistët.

Është e habitshme se si në këto 18 muaj, ne kemi pasur kaq shumë kërkesa, kaq shumë projekte dhe kaq shumë nxitje, për të bërë sa më shumë, nga bashkitë dhe kryetarët e bashkive socialistë dhe se mos ka ardhur një kryetar bashkie i Partisë Demokratike, në 18 muaj dhe të kërkojë ndihmë, të kërkojë mbështetje, të vëri përpara qeverisë një projekt për të zgjidhur, qoftë dhe një problem të vogël të komunitetit të vet. Absolutisht jo!

Për fat të keq, në anën tjetër nuk qëndron një alternativë, nuk qëndron një skuadër e cila ka vizion, ide, program dhe lidership. Por qëndron një çetë në shpartallim e sipër, që fatkeqësisht mban emrin e madh të Partisë Demokratike, por në të vërtetë nuk është asgjë tjetër, përveçse një trupë cirku që shkon në Shqipëri për të treguar përralla nga më të çuditshmet. A thua se në 21 Qershor, duke votuar Partinë Demokratike, dritat do bëhen qyl, taksat do të jenë më të ulëtat në botë, reforma e madhe që bashkoi edhe bashkinë e re të Malësisë së Madhe do kthehet përmbys dhe kështu me radhë.

Ka një pyetje shumë të thjeshtë për të bërë. Partia Demokratike i thotë të gjitha këto, por nuk flet fare për problemet me të cilat merret bashkia dhe kërkon votat për kandidatët për kryetarë bashkie. Ta zëmë se në një bashki, njerëzit do votojnë kandidatin e Partisë Demokratike, si do t’i bëjë ky, këto që thotë PD-ja! Si do t’i bëjë kryetari i bashkisë dritat qyl, taksat më të ulëta në botë dhe si do ta kthejë përmbys reformën e madhe administrative-territoriale!

Kjo është të tallesh me njerëzit. Por, në fakt, Partia Demokratike nuk është se po tallet me njerëzit. Partia Demokratike është kaq në drejtim të paditur, sa nuk e ka problem të tallet me vetveten. Partia Demokratike është kaq në drejtim të paditur, sa kujton se do të gjejë nëpër Shqipëri kaq shumë budallenj që ta besojnë një përrallë, me të cilën shqiptarët u ndanë më 23 Qershor të viti 2013.

Zgjedhjet e 21 Qershorit nuk janë zgjedhje as për parlamentin, as për partitë në Tiranë, as për kryetarin e PD-së në Tiranë, i cili nuk dihet në fakt se kush është, por ta zëmë se është ky që është.

Zgjedhjet e 21 Qershorit janë zgjedhje për familjen shqiptare në komunitetin ku jeton.

Zgjedhjet e 21 Qershorit janë zgjedhje që kanë të bëjnë me nevojat e çdo familjeje, kur del nga dera e shtëpisë, që rruga përpara shtëpisë të jete e ndërtuar, pa gropa, e pastër, që çerdhja ku çon, ose do të çojë beben e porsalindur, të ekzistojë dhe të ketë kushte të mira, që fëmijët t’i çojë në kopshte apo në shkollë me kushte të mira.

Të gjitha këto kanë lidhje me bashkinë, kanë lidhje me zgjedhjet e 21 Qershorit, kanë lidhje me ku do ta investojë familja votën, ku do ta investojnë ata që në familje kanë të drejtë të zgjedhin, jo vetëm për vete, por edhe për fëmijët e tyre.

Më thoni ju, si mundet një demokrat të shkojë më 21 Qershor tek kutia e votimit dhe në vend që të votojë për çerdhen, për kopshtin dhe shkollën që i duhet fëmijëve që ka në shtëpi, të votojë për një fëmijë që ka atje në Tiranë dhe i thotë vetes kryetar i PD-së.

Si ka mundësi që dy prindër demokratë këtu në Malësinë e Madhe, në Fushë Arrëz apo në Pukë, ku ka kaq shumë nevoja që duhet t’i zgjidhi bashkia dhe që po u zgjidhën i japin familjes një jetë më të mirë jashtë mureve të shtëpisë, të shkojë tek kutia e votimit dhe ta hedhin votën në drejtimin e paditur ku e fton PD-ja.

Si ka mundësi që, qoftë edhe anëtarët apo mbështetësit e PD-së këtu në Malësi të Madhe, më 21 Qershor, mundësinë që jua jep letra më me vlerë që një qytetar mban në dorë në demokraci, që është vota, ta shpërdorojnë duke vazhduar të shkojnë mbrapa një partie, e cila, nëse ka nevojë për diçka, ka nevojë që të zgjohet nga gjumi i thellë dhe të bëhet realisht një alternativë programore dhe një alternativë zhvillimi, në vend që të jetë një forcë, e cila i fryn vetëm sherrit, konfliktit, dasisë. Në vend që t’ju thotë shqiptarëve, çfarë do të bëjnë kandidatë e saj për çerdhet, kopshtet, shkollat, ju thotë votoni për PD-në, që të grisim hartën e reformës administrative-territoriale, hartën e reformës më historike që Shqipëria ka bërë në këto 20 e kusur vite, pas Kushtetues së parë demokratike.

Por ta zëmë se njerëzit do të votojnë kandidatin e PD-së. Si do ta bëjë ai, këtë?!

Reforma territoriale-administrative u votua nga kjo shumicë me më shumë se 84 deputetë, sepse 84 vota kërkon Kushtetuta për të kaluar një reformë të tillë. Dhe kjo reformë u bë e mundur sepse në 23 Qershorin e 2013-s, shqiptarët vendosën përmes votës që ta bëjnë këtë reformë. Si do ta “grisin” ata reformën?! Me 30 deputetë që kanë në parlament, që çdo të enjte i numërojnë, se ju ikën ndonjëri!

Ndërkohë që Malësia e madhe, sot është një bashki me potenciale të jashtëzakonshme. Të mos harrojmë se ky është vendi i dheut të Arbrit, ku 500 vjet përpara eksportohej rrush për të bërë verë në Venedik; Të mos harrojmë se ky është vendi ku deri përpara se të binte rrufeja e Partisë Demokratike nuk kishte metër katror tokë të papunuar; Të mos harrojmë se ky është vendi ku kaq shumë njerëz që kanë emigruar, kanë investuar për të ndërtuar shtëpi, duke ëndërruar që të kthehen një ditë këtu. Po ku të kthehen? Të kthehen në një bashki që është në drejtimin e duhur, apo të kthehen për t’u kthyer në drejtimin e paditur, pasi ikën një herë nga Shqipëria, për shkak të drejtimit të paditur.

Ky është vendi ku bukuritë dhe pasuritë natyrore shtrihen që nga fusha poshtë deri në majat e larta të malit. Këtu ka kaq shumë burime, kaq shumë pasuri, kaq shumë mundësi sa neve na duhet vetëm t’i bëjmë bashkë forcat, t’i harrojmë në 21 Qershor interesat e partive në Tiranë dhe të bëjmë një zgjedhje shumë të thjeshtë, kush është kandidati dhe kush janë këshilltarët që janë më pranë nevojave dhe më pranë zgjidhjes së nevojave. E ç’rëndësi ka nëse kandidati është i propozuar nga njëra anë, edhe pse ne nuk jemi një anë, ne jemi një koalicion që ka në boshtin e vet strategjik, një partneritet të pathyeshëm mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, por që shtrihet që nga socialistët dhe deri tek demokratët. Tek demokratët e organizuar në një parti që doli nga SHQUP-i, sepse nuk mund të ishte më pjesë e SHQUP-it. Prandaj, në koalicionin tonë ka vend për çdo votë, ka vend për çdokënd.

Unë nuk është se u them demokratëve bëhuni socialistë, nuk u them anëtarëve të Partisë Demokratike griseni flamurin e PD-së dhe ngrini flamurin e PS-së. Unë u them shumë thjesht, mbajeni flamurin e PD-së, edhe partinë duajeni, shikojeni çdo të enjte në Parlament, por mos i lini punët në dorë, se partia juaj nuk di të bëjë asnjë punë dhe deri kur të mësojë dhe të tregojë se ka mësuar të bëjë punë, mirë e ka punën në parlament, ditën e enjte. Edhe ata që nuk bëjnë dot pa Saliun, le ta mbajnë Saliun për mbret, por për shërbëtor të zgjedhin Tonin.

Ju i keni dëgjuar që ata vazhdimisht thonë se Edi Rama e kërcënon popullin se po votuat për kandidatët e PD-së, do të mbeteni pa ujë e pa bukë. Unë nuk them fare që po votuat kandidatët e PD-së do të mbetni kështu dhe ashtu, sepse nuk do t’ju ndihmojë qeveria. Unë ju them që kush voton kandidatët e PD-së merr bashkinë në qafë, jo sepse nuk e ndihmon qeveria, por sepse ata kandidatë nuk janë vendosur aty që të bëjnë punë për komunitetin, por që të bëjnë politikë duke i kënduar çdo ditë komunitetit në vesh “fajin e ka qeveria”, “poshtë qeveria”, “hajde të rrëzojmë qeverinë”. Dhe kur njerëzit të shkojnë tek dera e bashkisë për të thënë si do ja bëjmë për çerdhen, apo nuk kemi ujë, na duhet ujë për të vaditur tokën, na duhet shkollë, na duhen rrugë, na duhet transport urban, do dëgjojnë “Rama-Meta”. Zgjidhni e merrni: Doni tek bashkia e Malësisë së Madhe, një rreshter të SHQUP-it, apo doni një kryetar bashkie.

Unë besoj shumë fort se ne jemi në momentin kur, duke përcaktuar drejtimin e duhur edhe në nivelin e bashkive, krijojmë një forcë më shumë për të ecur më shpejt përpara dhe për të vazhduar një betejë për të ndërtuar në Shqipëri më në fund, mbas kaq shumë vitesh, një shtet që e gjetëm copë-copë deri përpara 18 muajsh. Unë nuk ju them që ajo që ne bëmë në 18 muaj dhe bilanci i 18 muajve, me të cilin dalin përpara jush, është gjithçka. As nuk ju them se në 18 muaj, ne arritëm t’i mbyllim plagët e pafundme dhe nganjëherë shumë të thella që u hapën për 20 e ca vjet. As nuk ju them që arsimi, shëndetësia janë ato për të cilat ju votat dhe ne ia dolëm në 18 muaj. Por është e sigurt se në 18 muaj, ne i kemi dhënë çdo shqiptari që ka sy për të parë, provën e patundshme se ne jemi të vetmit që dimë të bëjmë shtet, se ne jemi të vetmit që dimë t’i kthejmë punët në drejtimin e duhur dhe se Shqipëria në çdo sektor është kthyer në drejtimin e duhur.

Unë e di shumë mirë që në Malësi të Madhe si kudo në Shqipëri ka familje që me vështirësi nxjerrin ditën. Ka familje që jetojnë në kushte varfërie. Ka familje që ende nuk kanë një njeri të vetëm në punë. Unë i di të gjitha këto. Por unë di edhe një gjë tjetër, që shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët në mënyrë të veçantë janë njerëz mjaftueshmërisht të mençur, për të kujtuar se sa më shumë ishin të dëshpëruarit, përpara 18 muajsh; Sa më shumë ishin ata që nuk kishin asnjë shpresë, asnjë mbështetje dhe nuk shihnin asnjë dritë në fund të tunelit, përpara 18 muajsh; Sa më shumë ishin problemet, përpara 18 muajsh. A i kemi zgjidhur ne të gjitha? Sikur ne t’i kishim zgjidhur të gjitha për 18 muaj, unë do t’ju thosha se jam magjistar, nuk jam njeri. Sikur ne t’i kishim zgjidhur të gjitha për 18 muaj, ne nuk do të ishim qeveri, por do ishim fuqi magjike. Ne nuk i kemi zgjidhur të gjitha, kemi shumë akoma për të zgjidhur. Por ne e kemi kthyer Shqipërinë dhe i kemi vëmë problemet në drejtimin e duhur të zgjidhjes së tyre.

Shqipëria dhe çdo komunitet, mbas kësaj periudhe të shkurtër të qeverisjes sonë ka nevojë për gjithçka, përveçse për t’u kthyer mbrapa. E kush thotë hajdeni tani me ne, se ishim më mirë kur ishim më keq, është vetëm duke kërkuar budallenj që t’i shkojnë nga mbrapa. Njerëz të mençur, që mendojnë me kokën e tyre, që shohin me sytë e tyre, që ndjejnë me zemrën e tyre dhe që nuk telekomandohen nga SHQUP-i, nuk mund të pranojnë që ishim më mirë kur ishim më keq dhe tani të kthehemi përsëri aty ku ishim.

Nga ana tjetër, unë jam shumë i kënaqur për një aspekt të kësaj fushate. Kjo është fushatë që unë do ta mbaj mend gjatë, mbase gjithmonë, për një fakt, se ndryshe nga gjithë herët e tjera, është hera e parë që ka kaq shumë gra dhe vajza të përfshira drejtpërdrejtë në fushatë. Është hera e parë që ka kaq shumë gra dhe vajza që janë pjesë e takimeve, e bashkëbisedimeve, e kësaj beteje, jo thjesht me votë nga shtëpia e tyre, por me praninë e tyre. Dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme.

Ashtu siç është një arritje historike, që mund ta bënim vetëm ne, socialistët dhe progresistët, që më 21 Qershor, shqiptarët do të votojnë për kuvendin e tyre të ri vendor, ku do të ketë 50% gra dhe vajza. Bashkia është shtëpia e përbashkët e komunitetit dhe ashtu sikundër brenda mureve të shtëpisë, familja zgjidh problemet e veta, ashtu, jashtë mureve të shtëpisë është bashkia, shtëpia e përbashkët ku komunitetit zgjidh problemet e veta. Sikundër secila shtëpi nuk bën dot pa nënën, pa gruan, ashtu edhe shtëpia e përbashkët e komunitetit nuk mund të bëjë dot pa gratë dhe vajzat. I kemi parë 20 e ca vjet Këshillat e Komunave, mbushur plot me burra, asnjë grua. Ndërkohë që sot, duke pasur 50% gra dhe vajza në këshillat bashkiakë, në kuvendet vendore, sepse janë realisht të tilla me bashki kaq të mëdha, ku ka përfaqësues nga kaq shumë komunitete, kemi sigurinë se të paktën, gjysma e këshillit nuk e humb asnjëherë fokusin nga drejtimi i duhur për të zgjidhur problem konkrete.

Edhe unë, miqtë e mi, si ju jam dhe bashkë e dimë që ne burrat e humbim shpesh drejtimin. Po mos të ishin gratë, ne do ta kishim të vështirë që ta gjenim drejtimin e duhur, ndërkohë që gratë e nënat në shtëpi janë garancia që shtëpia shkon në drejtimin e duhur. Dhe ju e dini më mirë këtë, siç e dinë të gjithë burrat dhe djemtë.

Prandaj, këto votime kanë një rëndësi të madhe. Të gjitha gratë e vajzat duhet të shkojnë tek kutia e votimit, sepse duhet t’i japin një mbështetje shumë të fortë këtij transformimi historik, që ne duhet ta konsolidojmë e ta çojmë përpara, për të krijuar atë ekuilibër të domosdoshëm gjinor, që është baza për të ngritur një shoqëri të drejtë dhe një ekonomi të zhvilluar.

Këto zgjedhje janë po ashtu, zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, për fshatin. Njerëzit në fshat kanë votuar për kryetarët e komunave dhe për këshillat e komunave. Por edhe kur, – dhe jo gjithmonë për fat të keq, – kryetarët e komunave kanë qëlluar njerëz që kanë dashur të bëjnë për komunitetin, nuk kanë arritur dot t’i përgjigjen kërkesave dhe nuk kanë arritur dot t’i ndalojnë plagët e fshatin të zgjerohen, sepse e tillë ka qenë Shqipëria, një shtet i çorganizuar ne një hartë administrative komplet të papërshtatshme, me njësi të vogla, të copëtuara, ku e gjitha lufta është bërë se kush i merr tjetrit ndihmën ekonomike.

Ndërkohë që sot, fshati voton për kryetarin e bashkisë dhe për bashkinë e madhe dhe voton për të pasur nesër, një mbështetje reale, që nga hapja e kanaleve ujitjes dhe çuarje e ujit në çdo parcelë, tek gjithë pjesa e problemeve që shteti dhe qeveria në Tiranë do ta trajtojnë së bashku me bashkitë dhe kryetarët e bashkive, për të qenë sa më pranë fshatit, për të bërë që në çdo tokë të punueshme, jo vetëm të ketë ujë, por prodhime, përfitim dhe mirëqenie.

Mund të flasim pafund për problemet dhe për nevojat, ashtu sikundër mund të flasim për zgjidhjet. Por për një gjë besoj s’kemi nevojë ta tjerrim gjatë, që në të gjitha këto probleme, me të gjitha këto nevoja dhe për të gjitha këto zgjidhje, PD-ja nuk ka lidhje. Nuk ka lidhje, sepse fushata e tyre nuk ka lidhje, sepse skuadra e tyre nuk ka lidhje, sepse kandidatët e tyre nuk kanë lidhje, sepse drejtimi i tyre nuk ka lidhje. Ndërkohë që ne jemi si ajo reklama, nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka.

Për të gjitha këto, unë jam i bindur se këtu në Malësinë e Madhe, ne jua kemi bërë të lehtë socialistëve, jua kemi bërë të lehtë edhe demokratëve, jua kemi bërë lehtë të gjithë atyre familjarëve që e kuptojnë rëndësinë e bashkisë dhe që duan që nesër, familja e tyre jashtë mureve të shtëpisë të jetojë në një vend normal. Jua kemi bërë më të lehtë, sepse kemi zgjedhur njeriun e duhur dhe duke zgjedhur njeriun e duhur, do ta kemi shumë më thjeshtë që të japim dhe ne mbështetjen e duhur.

Prandaj, duke ju përshëndetur dhe duke ju kërkuar leje për t’u larguar nga ky takim entuziast, unë ju siguroj se duke votuar për Toninin, detyrimi ynë ndaj jush do të jetë aq i madh, saç do të jetë koha e të gjitha ditëve dhe minutave që ne kemi në dispozicion për t’ju shërbyer juve. Pa as më të voglin dyshim, ne nuk do të bëjmë mrekullira. Unë nuk po ju them votoni Toninin që të rregullojmë cilësinë e diellit, siç thoshte një i PD-së, as nuk po ju them votoni Toninin, për ta bërë Malësinë e Madhe, të dytën mbas Gjermanisë. Unë po ju them, votoni Toninin që të bëjmë 4 vitet e ardhshme për Malësinë Madhe, saç nuk është bërë në çerek shekulli, marrë sëbashku.

Duke ju përshëndetur edhe një herë, ju lutem flisni me të gjithë demokratët dhe bëjani të qartë, që ata nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur duke votuar Toninin. Sepse, thjesht, çdo votë e tyre që shkon për Toninin është një votë për të punësuar një kryeshërbëtor socialist, që t’ju shërbejë edhe demokratëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb