KORCE- Kryeministri Edi Rama ka vazhduar inspektimet në juglindje të vendit, duke ndjekur nga afër ndërhyrjet që po behën në nënstacionin elektrik të Zëmblakut në Korçë. Gjatë këtij inspektimi së bashku me drejtorin e OST, Ëngjell Zeqo, kreu i qeverisë tha se ky do të jetë investimi më i madhi në 24 vitet e fundit.

“Me këtë ndërhyrje ne fuqizojmë të gjithë unazën e jugut faktikisht, qëllimi është që ne të bëjmë volumin më të madh të investimeve që është bërë ndonjëherë gjatë gjithë këtyre 20 viteve të përmbledhur në këto 3 vjet në mënyrë që të kemi një fuqizim real të rrjetit dhe të mund pastaj të shmangim gjithë ato ndërprerje dhe gjithë ato situata tërësisht të pa tolerueshme për qytetarët po sidomos dhe për pjesën e jugut për gjithë zonën turistike ku siç e thatë dhe ju që nga koha e elektrifikimit të Enver Hoxhës nuk është bërë asnjë ndërhyrje”, tha Rama.

“Financimi bëhet nga banka KfW, me një vlerë për zgjerimin e nënstacionit prej 5 mln euro, kemi të bëjmë me zgjerimin e anës 400 kv dhe daljen 110 kv, vendosjen e një transformatori të ri 150 mega volt amper, e cila do të rrisë sigurinë e furnizimit për gjithë rajonin, kjo është e shoqëruar me një investim që kap gjithë pjesën e linjës të qarkut të jugut prej 32 mln euro e financuar nga KfW, kjo është një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit elektroenergjetik shqiptar pasi 3 kemi të tillë, kemi Zëmblakun, Elbasanin dhe Tirana 2 400 kv çfarë e fuqizon më tepër dhe cilësinë e furnizimit”, u shpreh Zeqo.

Projekt, i cili do të garantojë energji për gjithë juglindjen e vendit, financohet nga një kredi e qeverisë gjermane nëpërmjet bankës KfW ka vlerën totale 49 milion euro. Investimi në Nënstacionin e Zemblakutm është rreth 5 mln euro, ndërsa 32 milionë euro është një investim që kap gjithë pjesën e linjës që qarkut të jugut, unazën e jugut.

Të dhënat teknike të projektit “Rrjeti 110 kV i jugut të Shqipërisë”
Projekti financohet nga një kredi e Qeverisë gjermane nëpërmjet bankës KfW dhe është i ndarë në dy lote. LOT 1 përfshin fuqizimin e nënstacionit 400/110 kV Zemblak, me vlerë investimi rreth 5 milion euro që po implementohet nga kompania KONCAR.

tekno1Ndërkaq, LOT 2 përfshin ndërtimin e linjave 110 kV Ersekë-Permet 55.7 km; Babicë-Sarandë 105 km, Qarku i dytë 110 kV Zemblak-Korçë 13 km si dhe rehabilitimi i linjave Korçë-Ersekë 36 km, Memaliaj-Këlcyrë-Permet 43 km dhe punime në nënstacionet respektive. Vlera e investimit për LOT-in e dytë arrin në mbi 32 milion euro.

Fuqizimi i nënstacionit në Zemblak do të rrisë fuqinë transformuese dhe do të kompletojë skemën e këtij nënstacioni duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji elektrike të këtij rajoni.

Ndërtimi i linjës 110 kV Babicë-Sarandë mbyll në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110kV, duke plotësuar kriterin e rezervimit të furnizimit me energji elektrike në rast defekti në linjat e transmetimit të një zone të gjerë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës dhe Tepelenës.

Kalimi i linjës në zonën e bregut të Jugut krijon mundësinë e ndërtimit nga OSHEE të nënstacionit 110/20 kV Orikum dhe nënstacionit 110/20 kV Himarë, për të përmirësuar infrastrukturën elektrike si një domosdoshmëri në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: