TIRANË

“Zhvillimet e bujtinave dhe rikthimi i syve të emigrantëve nga kjo zonë e bekuar, për të investuar kursimet e tyre në rilindjen ekonomike të Labërisë përmes turizmit, janë burim energjie e shtysë e madhe për të vazhduar punët që kemi nisur”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në një nga bujtinat e Nivicës në Tepelenë.

Në bujtinën e Jahos, rrethuar nga një natyrë magjike, Rama shprehu admirim për këtë familje punëtore që ka krijuar punë dhe ekonomi mes maleve, duke prodhuar bulmet për tregun e ofruar mikpritje për vizitorët e zonës.

“Këtë mrekulli duhet ta kthejmë në burim parash. Emigrantët që bëjnë punë të zakonshme, nëse kursimet e tyre i investojnë në këto lloj strukturash fitojnë këtu shumë më tepër se sa në emigracion dhe janë Zot këtu”, tha Rama.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR), Frida Krifca deklaroi se Jaho e ka nisur këtë aktivitet si një baxho për shkak të nevojës që kishin fermerët për një baxho, të cilët e çonin në Gjirokastër prodhimin e tyre.

Ndërtimi i baxhos, tha ajo, nisi në vitin 1998 dhe në 2018, ai shprehu nevojën për t’u mbështetur për ta kthyer këtë baxho në një bujtinë pasi në zonën vinin shumë vizitorë por nuk kishin se ku të akomodoheshin.

“Me shumë mund e dedikim u ndërtua kjo bujtinë e mbështetur nga buxheti i shtetit me rreth 8 milionë lekë. Jaho do të marrë sërish mbështetje nga skemat kombëtare për të mundësuar edhe pajisjen e bujtinës”, tha Krifca.

Jaho thotë se pasi ndërtoi baxhon nuk kishte ku t’i ruante produktet, pasi nuk kishte një dhomë frigoriferike. Ai u detyrua të krijonte një pus me ujë të rrjedhshëm ku i ruante produktet e freskëta.

Sot falë mbështetjes nga skemat kombëtare Jaho ka edhe dhomën frigoriferike.

Kjo zonë e Nivicës nuk ka patur furnizim me energji elektrike asnjëherë, por kryeministri siguroi banorët se do të gjendet një mënyrë për furnizimin me energji të kësaj zone.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb