TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në Tiranë 1001 leje legalizimi. Duke theksuar se ky proces po realizohet falas, kreu i qeverisë u shpreh se qeveria e kaluar e tërhoqi zvarrë këtë proces, duke e lënë ALUIZNI-n si “një magazinë pa inventar”. Rama tha se në një vit u bënë 25 mijë legalizime, duke premtuar se brenda këtij mandati qeverisës qeveria që ai drejton do të legalizojë një pjesë dërrmuese e shtëpive në zonat informale.


“Sot është dita për të kujtuar PDqë ju la në diell, ndërsa me marrjen e lejeve të legalizimit fala do të rrini në strehën tuaj. Janë 1001 leje legalizimi që do ndahen falas. Shkojnë tek qytetarët e zonave informale dhe thonë ju mashtroi Edi Rama për legalizimet. Jeni dëshmitarë që prej 18 muajsh janë djemtë dhe vajzat e ALUIZNI-t që ju vijnë derë më derë. Ne po bëjmë detyrën në shpërndarjen e lejeve të legalizimit. Faleminderit u takon të gjithë atyre që na dhanë votën në 23 për të na vënë në krye të detyrës ne që dimë të bëjmë detyrën.
Sot bëhet 1 vit që ka filluar punën zyra e ALUIZNI-t se u deshën 6 muaj për të gjetur dosjet që pretendohej se ishin bërë gati, dhe për të sistemuar zyrat e dokumentet. Pasi aty ishte një magazinë pa inventar. Në një vit bëmë 25 mijë legalizime falas”, tha kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë tha se janë 60 mijë ndërtime pa leje, për të cilat kemi marrë nismën të marri një hap ligjor në Parlament, dhe të nisim procesin e legalizimit edhe për to.

Gjatë fjalës së tij, Rama nuk ka kursyer as batutat dhe ironinë me ish-kryeministrin Berisha, duke e thirrur atë ‘Sali Kelmendi’. Teksa risolli në vëmendje të të pranishmëve një rast të një kryetari bashkie i përzgjedhur nga radhët e PD-së, Rama theksoi se këta drejtues kanë frikë të takohen me kryeministrin.

“Legalizmi që i bëri Pandi PS ishte një ogur i mirë që zonja e mori lejen e legalizimin. Kush ka lidhje shpirtërore me Pandin nuk do ketë veçse mirë. Në këto zgjedhjet nuk ka gjasë që të ndodh që të votoni PD, por nëse bëni do e çoni dëm votën tuaj. Para ca kohësh një kryetar bashkie i PD më çonte sms dhe më tha që dua të takohem urgjent. Unë i thash që nesër në Kryeministri. Ai më kthehu sms: Jo në Kryeministri, se më shohin. Si do ti mbështesim këta, kur kanë frikë se i shohin. Dhe ata që mund të jenë trima, se përjashtoj të ketë dhe ndonjë trim, nuk kanë ça bëjnë, pasi PD po kërkon votën, jo për të bërë punë për qytete, por për mos të bërë punë. Po Sali Kelmendi na bërë ca rrugë, ca qofteri na i bëri. Iku dhe erdhi, si ajo kënga, ashtu iku, ashtu doli. Dalin e kërkojnë votën, por për çfarë?!Jam i bindur që Erioni është kandidati më i plotë dhe më i duhur që ne mundtë gjenim për në këtë moment dhe për Drejtimin e Duhur.”, tha Rama.

VELIAJ: QYTETARËT MERITOJNË TË NJËJTIN SHËRBIM
Kandidati i koalicionit të majtë për Tiranën, Erion Veliaj, e ka quajtur shans historik bashkëpunimin e nevojshëm midis bashkisë dhe ALUIZNI-t për çështjen e legalizimeve. Veliaj e vuri theksin te gjetja e gjuhës së përbashkët midis dy institucioneve kyçe, gjë e cila ka munguar në dy vitet e fundit.

“Për Tiranën është shans historik që bashkia dhe ALUIZN-i të jenë në të njëjtin krah, që kryetari i bashkisë dhe kryetari i ALUIZNI-t të punojnë si një ekip”, tha Veliaj. Ai shprehu nevojën për një angazhim për t’i dhënë zgjidhje çështjes së legalizimeve në të gjithë Tiranën, por në mënyrë të veçantë për ato ndërtime, legalizimi i të cilave është bërë i pamundur këto vite për shkak të mosbashkëpunimit të bashkisë aktuale.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, Veliaj theksoi se banorët e Bashkisë së Tiranës kanë 1001 arsye që të gjithë gjërat t’i çojmë në drejtimin e duhur. Ai kërkoi mbështetjen e tyre për të vijuar procesin e legalizimit të të gjithë pallateve të pa përfshirë në këtë proces, në kushtet kur kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës nuk e ka mbajtur premtimin për t’i legalizuar ato.

“Për herë të parë po fillon legalizimi i pallateve dhe ky kontigjent, 1001 legalizime, përfshijnë të gjithë pallatet Hawai, që presin legalizimin për katër vjet nga ai që tha se do t’i hipotekoj të gjitha apartamentet, por që në fakt nuk hipotekoi asnjë. Ja ku jemi sot, te 1001 arsyet për të çuar në drejtimin e duhur jo vetëm Tiranën, por edhe pallatet e saj, që sot rrinë stok dhe askush s’ia njeh vlerën në treg”, theksoi Veliaj.

Nga ana tjetër, ai ka garantuar vullnetin e tij për të bashkëpunuar me ALUIZN-in, pasi siç u shpreh ai, kjo është në interes të gjithë atyre qytetarëve, të cilët për arsye të ndryshme, edhe pas kaq shumë vitesh, nuk kanë mundur ta legalizojnë banesën e tyre.

PD-RAMËS: PO TREGON BARCALETA BAJATE
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike, në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë shpërndarjes së certifikatave të pronësisë sot në kryeqytet. Në një reagim për mediat selia blu i është përgjigjur akuzave të Ramës, ndërsa deklaratën e tij e ka quajtur një tjetër shfaqje.

“Çdo ditë që kalon ky medemek kryeministër endet me kastravecin e mashtrimit nga një shfaqe në tjetrën. Larg qytetarëve të majtë e të djathtë, që i mashtroi me premtimet e tij, vazhdon të tregojë barcaleta bajate, të tallet me qytetarët që sot janë në kufijtë e mbijetesës. Shumica e shqiptarëve marrin sot borxh për bukën e gojës, kryeministri i së keqes harxhon miliona lekë për shoë-n e tij televiziv. Prish shtëpitë e të pamundurve dhe nga ana tjetër ngre sarajet e tij.”, citohet në reagimin e PD-së.

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb