Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në SHBA, ishte në Universitetin e Miçiganit ku edhe u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Drejtuesja e Programeve Ndërkombëtare të Universitetit, i cili shënon dhe nisjen zyrtare të këtij partneriteti, në fushën e arsimit.

“Një urë e re bashkëpunimi u vendos në rrugën e hapjes së universiteteve shqiptare ndaj universiteteve ndërkombëtare, me programe e projekte të përbashkëta, të cilat do t’u mundësojnë të rejave e të rinjve shqiptarë, studime të nivelit të lartë pa u larguar domosdoshmërisht nga Shqipëria”.

Më pas, kryeministri vizitoi mjediset e Universitetit Shtetëror të Miçiganit, një hapësirë moderne e dijes, me një arkitekturë tejet të veçantë, në funksionimin e së cilës, teknologjia bashkëkohore luan një rol të rëndësishëm.

Pjesëtarë të trupës pedagogjike të Universitetit, falënderuan kryeministrin Rama për vizitën dhe gjithashtu për hapat që u hodhën në zyrtarizimin e bashkëpunimit.

“Falenderoj Kryeministrin që na erdhi dhe na vizitoi këtu në Universitetin Shtetëror të Miçiganit ku nënshkruam memorandumin që shënoi nisjen zyrtare të partneritetit midis MSU dhe Universiteteve shqiptare. Gjatë muajve në vijim, një trupë pedagogjike e MSU do të vizitojnë Shqipërinë për të punuar me universitetet tuaja. Nga thellësia e zemrës vlerësoj atë që ka bërë Kryeministri dhe atë që kanë bërë shqiptarët për të mbështetur stafin e studiuesve tanë nga Afganistani, që janë aktualisht në Shqipëri. Pres me padurim që t’ju shoh në Tiranë dhe të vijojmë me kapitullin tjetër të kësaj marrëdhënieje” , u shpreh një nga profesorët e trupës pedagogjike të Universitetit, i cili koordinon këtë proces.

Kryeministri theksoi interesin që zgjoi ky bashkëpunim, i cili do të çele një perspektivë të re për universitetet shqiptare.

“Ishte një vizitë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e interesit për të krijuar këtë lidhje mes këtij Universiteti shumë të famshëm dhe prestigjoz të Shteteve të Bashkuara dhe Universitetit tonë të bujqësisë, por jo vetëm, dhe këtu jam bashkë me profesorin, i cili koordinon këtë proces. Faktikisht pasi kemi firmosur dhe një marrëveshje mirëkuptimi mes ministres dhe drejtueses së Programeve Ndërkombëtare të këtij Universiteti, ne presim që në fillim të vitit të ardhshëm të kemi një vizitë pune për të parë se si do të ecim më tej, në mënyrë që t’i japim një forcë të re Universitetit tonë bujqësor dhe jo vetëm dhe të krijojmë një tjetër hapësirë për studentët tanë që të mund të qëndrojnë në Shqipëri dhe të studiojnë me kushtet dhe me cilësinë më të lartë që ofrojnë universitetet e huaja, përfshirë dhe universitetin e Miçiganit. Kjo është një miqësi që lindi nga një tjetër miqësi mes Universitetit të Miçiganit dhe profesorëve të këtij Universiteti në Afganistan, të cilët ne i kemi strehuar në Shqipëri. E pra, në këtë mënyrë ne kemi hapur një derë të re me miq dhe partnerë të rinj, të cilët do të sjellin më shumë dije dhe më shumë mundësi për të rinjtë tanë”,  u shpreh Rama në përfundim të vizitës së tij, në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: