NGA SENAD NIKSHIQI

SHKODËR- Kryeministri Edi Rama u kërkon institucioneve në Shkodër që të jenë më të përgjegjshëm në raport me publikun, të jenë më të hapura dhe të ofrojnë shërbime për të gjithë. Burime për “BalkanWeb” pohojnë se, kryeministri në takimin me dyer të mbyllura që zhvilloi sot me Asamblenë e PS Shkodër, ka deklaruar para socialistëve se me këtë bashki që drejtohet nga kryetarja Voltana Ademi, e kanë të lehtë që të organizohen dhe të marrin fitoren në zgjedhjet e 2017.

“Voltana është si hu”, mësohet të ketë thënë kryeministri në mbledhjen me PS në Shkodër, në kuptimin që “kryebashkiakja nuk ka bërë asgjë në 1 vit për qytetarët”.

“Këtë herë duhet që të fitoni zgjedhjet, sepse e keni më të lehtë se kurrë me këtë kryetare të Bashkisë të cilën nuk e duan as të vetët në PD. Është e paaftë dhe nuk është e zonja për të qeverisur, dhe kjo shihet qartë. Keni hapësirë dhe terren mjaftueshëm për të fituar”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu theksoi se çdo qendër votimi duhet të ketë kryetarin e organizatës, por edhe një koordinator, duke qenë se kjo mënyrë organizimi dha rezultat edhe në zgjedhjet e mbajtura në Dibër.

REAGON KRYETARI I PD-se SHKODER: HARBUT!

Kryetari i degës së PD-së në Shkodër Ramiz Çobaj ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama në Asamblenë e PS-së në Shkodër, lidhur me kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi. Në një status në faqen e tij në “Facebook”, Çobaj akuzon kryeministri për harbutëri dhe urrejtje ndaj shkodranëve.

“Edi Rama nuk zhgënjeu as sot me vizitën në Shkodër për të treguar harbutërinë e tij dhe në veçanti kompleksin ndaj grave. Shfrimi i tij prej laci ndaj Kryetares së Bashkisë Shkoder, e cila para një jave ia përplasi në fytyrë, nuk ka për ta ndihmuar aspak në betejën e tij të humbur me Shkodrën dhe qytetarët e saj. Kjo harbutëri dhe urrejtje e tij ndaj Shkodres rrit përbuzjen e neverinë ndaj një racisti, që jo vetëm i diskriminon dhe ndëshkon shkodranët, por edhe i fyen ata paturpësisht. Shkodranët kanë dinjitetin e tyre për të përballur të tillë maskarenj, por kur duhet dhe kur e lyp nevoja, i marrin në hu këta zaberhane, pa qenë nevoja të presin zgjedhjet….”- shkruan Çobaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb