TIRANË- “Rusia dhe militantët islamikë mund të përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në vendet e Ballkanit nëse Bashkimi Evropian nuk do t’i pranojë si anëtarë”, është shprehur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Rama tha se është në interes të BE-së të përpiqet të fusë vendet e Ballkanit në union e saj.
“Nëse duam të kemi një Bashkim Evropian të qëndrueshëm dhe të sigurt, nuk është mirë që të ketë boshllëqe. Për më tepër nuk duhet të harrojmë se ka aktorë të tretë që mund të përfitojnë nëse BE-ja lë vakum. Këtu i referohem Rusisë, por e kam fjalën edhe për islamin Radikal”, është shprehur më tej kryeministri.

Gjashtë vendet e Ballkanit janë në faza të ndryshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Serbia ka si qëllim të përfundojë bisedimet e pranimit deri në vitin 2019. Sidoqoftë, pranimi i vendeve të reja anëtare nuk është një nga prioritetet e BE-së për momentin shkruan gazeta gjermane.

Diplomatë të ndryshëm nga rajoni janë shprehur se Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në shtete si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia si dhe Shqipëria. Rama tha se vendi i tij do të vazhdojë të ecë drejt BE-së, por shprehu dyshime në aftësinë e BE-së për ta bërë një gjë të tillë.

“Nuk ka të bëjë me kohën që na nevojitet por me mënyrën sesi BE-ja do të vazhdojë të zhvillohet. Në të njëjtën kohë ne jemi politikisht në formë të mirë, ndërsa BE-ja nuk është për momentin”, ka shtruar më tej Kryeministri Rama për gazetën gjermane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: