Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria shqiptare ka bërë një rrugë të gjatë dhe të suksesshme mbi barazinë gjinore.

Duke folur në Forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se me gratë gjërat mund të zgjidhen më lehtë, ndërsa me burrat nuk bëhet asgjë.

Sipas tij, nëse gratë thonë se do ta bëjnë një gjë, e bëjnë me patjetër, ndërsa një gjë e tillë nuk ndodh me burrat.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë përpara, sot kemi 50% të këshillave bashkiakë, që janë me përfaqësi grash dhe kemi pas sukses të arrijmë një ekuilibër perfekt. Në qeveri kemi më shumë gra se sa burra, 60% e pozicioneve drejtuese në administratën publike mbahen nga gratë. E gjitha kjo është një meritë, sepse nëse doni të flisni pa bërë asgjë, mund ta bëni me burrat të pranishëm, por nëse doni që gjërat të bëhen, është më mirë të zgjidhni gratë.

Burrat thonë “po”, por në fund nuk e bëjnë atë që duhet të bëjnë, dhe kur i pyet pse nuk e bënë fillojnë me një listë justifikimesh. Ndërsa gratë kur thonë “jo”, thonë se ndoshta nuk është mënyra e duhur për ta bërë, kurse po thanë “po”, sigurisht që do ta bëjnë. Kështu që, mendoj se jemi në vendin e duhur, por vetëm krahasuar nga pikënisja, por jo ku duhet të jemi”, është shprehur Rama.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb