Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Konferencën e Parë Kombëtare të Antikorrupsionit, ka folur në lidhje me shërbimet të cilat kanë kaluar online dhe lehtësirat që kjo sjell për qytetarët.

Kreu i qeverisë nuk i ka kursyer batutat, kur tha se ndër shërbimet që personi duhet të paraqitet personalisht për ta marrë, është martesa, ku personi duhet të paraqitet së bashku me bashkëvuajtësen dhe dëshmitarët.

“Për të ardhur te revolucioni digjital, te kalimi i të gjitha shërbimeve në xhepin e çdo qytetari ku gjendet smartphone i tij apo i saj, apo në kompjuterin më të afërt në shtëpi apo kudo qoftë.

Sot nuk ka më nevojë të shkosh në asnjë zyrë, sot çdo shërbim, përveçse kur do të martohesh që nuk mund ta bësh online se duhet të paraqitesh bashkë me bashkëvuajtësen apo bashkëvuajtësin përkatës dhe me dy dëshmitarët e vuajtjes për tu kurorëzuar apo për të marrë gjurmët e gishtërinjve apo për ndonjë shërbim tjetër që kërkon prezencë fizike, të gjitha shërbimet e tjera janë online.

Sot të gjitha transaksionet e biznesit janë online dhe janë në kohë reale. Ajo që Milva përmendi, si fiskalizimi. Nuk është aspak e rastit që në të gjitha raportet e vlerësimeve ndërkombëtare për qeverisjen digjitale Shqipëria hyn në grupin e vendeve më të zhvilluara”, është shprehur kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb