Pavarësisht kërkesave të opozitës, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mazhoranca dhe qeveria që ai drejton nuk tërhiqet nga nevoja për të bërë shtet me çdo kosto dhe se do të vazhdojë në rrugën e reformave të mëdha.

Në një intervistë dhënë për Top Channel, Rama i kërkoi opozitës të mos rrijë rrugëve, ndërkohë që foli edhe për çështjen e dosjeve dhe modalitetet e hapjes së tyre. Me zotin Rama bisedoi gazetari Muhamed Veliu.

Zoti kryeministër, jo vetëm opozita e quajti pjesëmarrjen masive të qytetarëve në protestën e së shtunës si një sukses. Në fakt a e shikoni pjesëmarrjen kaq masive si pasojë e rritjes së pakënaqësisë ndaj qeverisjes suaj për më shumë se një vit?

Nuk numëroj sa njerëz marrin pjesë në një protestë, është e drejta e çdo kujt të protestojë dhe është detyra ime dhe e qeverisë të udhëheqë drejt atyre objektivave për të cilat kemi marrë mandatin nga populli shqiptar në 23 qershor; është detyra e opozitës t’i përfaqësojë shqiptarët në Kuvendin e Shqipërisë dhe në çdo instancë tjetër edhe në rrugën e protestave, duke bërë zgjedhjet e veta; është detyra jonë t’i përgjigjemi një për një shqiptarëve kur të jemi përpara gjykimit të tyre në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2017.

Zoti Rama, pjesë e protestës ishte edhe një qytetar, i cili mbante në dorë një matës të energjisë elektrike. Nuk e di nëse e keni parë atë foto që bëri xhiron në rrjetet sociale atë ditë. Çfarë mesazhi përcjellë protesta e këtij qytetari me matës të energjisë në dorë?

Nuk e kuptoj mesazhin e qytetarit në fjalë, por ajo që shoh me shumë keqardhje është që Shqipëria sot vazhdon të jetë pa opozitë. Shqipëria sot praktikisht ka dy qeveri. Një qeveri në detyrë që ka marrë mandatin e shqiptarëve për të qeverisur dhe një qeveri tjetër që në 23 qershor është larguar nga detyra për të marrë detyrën e opozitës, por nuk e ka bërë këtë gjë, madje vazhdon t’iu ofrojë shqiptarëve atë alternativ, atë program, ato rrugë dhe po ashtu ato zgjidhje që u dëshmuan të gabuara dhe që e çuan Shqipërinë në pragun e një kolapsi të plotë.

Zoti kryeministër, thatë se qeveria juaj do ta marrë gjykimin pas 4 viteve. Por a do ketë një reflektim nga qeveria për ato masa që janë quajtur drastike, në veçanti sa i përket politikës fiskale?

Ne jemi zgjedhur për të marrë masa drastike dhe jo për të vijuar avazin e vjetër. Besoj se mua shqiptarët, koalicioni qeveritar dhe partneritetit strategjik me LSI më kanë besuar detyrën e kryeministrit dhe jo rolin e Lala Gjonit. Koha e Lala Gjonit thoshte ‘sa të jem unë hani, pini dhe këndoni dhe pastaj bëni ç’të doni’. Ndërtoni pa leje sa të doni dhe vidhni energjinë. Të gjitha këto kanë marrë fund në 23 qershor. Ne jemi zgjedhur për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë, për të bërë atë rilindje që ka frymëzuar një milion njerëz që të na votojnë dhe që na imponon ne që të jemi të drejtë me njerëzit edhe atëherë kur disa nuk e kuptojnë menjëherë rëndësinë e një mase të caktuar. Nuk ka vend për të zbutur ndonjë masë, por ka vend për të vazhduar më tutje me masa drastike për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga Shqipëria e kaosit, e pisllëkut dhe e një pabarazie të madhe.

Në një vend ku do të hapeshin 80 mijë vende pune brenda një viti kjo do të ndjehej në ekonomi dhe njëkohësisht do të ndikonte edhe tek familjet shqiptare. Por duhet thënë se rritja ekonomike mbetet ajo që ishte dhe familjet ende po vuajnë pasojat e krizës që qeveria juaj ka trashëguar. Sipas jush, sa vende pune janë hapur deri tani dhe cilat janë pritshmëritë?

Së pari, rritja ekonomike nuk mbetet ajo që ishte. Ne morëm një vend ku rritja kishte ndaluar dhe ku ekonomia ishte kthyer në një rrëmujë të madhe fiskale, për të cilën u detyruam t’i nënshtroheshim një programi për të vënë rregull në librat e llogarive. Mos harroni që kemi trashëguar 720 milionë dollarë borxhe për kontratat e nënshkruara për festat dhe orgjitë elektorale, borxhe për rrugë të nisura pa para, borxhe për ilaçe të blera pa para, borxhe për TVSH të parimbursuara, të cilat ne i kemi marrë përsipër t’i lajmë. Unë jam shumë krenar që ne kemi injektuar në ekonomi, deri sot, një pjesë të konsiderueshme të tyre. Edhe sipas auditimit të FMN ky injektim është bërë në mënyrë të drejtë, transparente, pa klientelizëm. Tani FMN-ja ka hapur dritën jeshile për të vazhduar me disbursimin e parave të tjera. Nga ana tjetër ka shumë propagandë për rritje çmimesh, por çmimet nuk janë rritur, një pjesë e madhe e tyre kanë rënë. Për një ekonomi si e jona, rënia e çmimeve nuk është domosdoshmërisht një sinjal pozitiv. Nga ana tjetër flitet për rritje taksash. Çfarë taksash kemi rritur ne? Ne kemi rritur 3 taksa, të cilat nuk ndikojnë direkt në xhepin e atyre njerëzve që kemi marrë përsipër t’i nxjerrim nga kthetrat e një pamundësie të madhe ku i gjetëm. Rritja e këtyre taksave nuk ndikon drejtpërdrejt në xhepin e mësuesve, në xhepin e infermiereve apo të policëve të këtij vendi. Kemi rritur 10 lekë te taksa e naftës për të marrë në këmbim një sasi, e cila do të shkojë sërish për ripërtëritjen e mjedisit, e zonave urbane dhe për ripërtëritjen e territorit që po shihet se ka filluar të ndodh. Një vit më parë kjo taksë është rritur me 10 lekë dhe këtu u tha se do të bëhej nami, por nuk ndodhi asgjë dhe sot çmimi i naftës që do të rritet në stratosferë është 10 deri në 60 lekë më i ulët sesa ishte. Pra, kjo është një masë që nuk do të ndjehet për xhepat e qytetarëve, por do të jetë e rëndësishme për ekonominë tonë. Ne kemi rritur taksën e cigares dhe do ta rrisim sa të kemi mundësi sepse e kemi thënë hapur që jemi kundër duhanpirjes dhe pro shëndetit. Taksa tjetër është ajo e depozitave, e cila nuk është rritur për ata që nuk kanë depozita nëpër banka, por është rritur për ata që të gjithë së bashku zotërojnë 9 miliardë. Kjo është bërë që këto para të investohen për të hapur vende të reja pune. Ne duhet të jemi të lumtur që të kemi më shumë para në ekonomi dhe kush nuk do të paguajë taksën për depozitat nuk duhet t’i mbajë paratë në bankë, por duhet t’i investojë. Në anën tjetër ne kemi ulur 15 taksa që ndikojnë te prodhimi. Ka shumë propagandë që po mbyllen vende pune, por e vërteta është se kemi 81 mijë vende pune më shumë dhe kjo sipas Institutit të Shërbimeve Shoqërore, ku figurojnë të gjithë punonjësit që marrin një rrogë. Këto nuk janë të gjitha vende të hapura rishtas, por ka edhe vende pune të formalizuara. Ne kemi nxjerrë nga duart e skllavërisë një pjesë të madhe të punonjësve dhe sot ata paguajnë sigurime dhe taksa. Ne do ta shërojmë Shqipërinë nga kanceri që ka në sistem. Kemi kudo metastazat e një kanceri sistematik dhe reformat tona janë reforma që ndryshojnë sistemin. Kanceri nuk luftohet me aspirina, me kozmetikë, etj, por me kimioterapi, me rreze dhe operacione të dhimbshme por që janë e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar lëngimit dhe agonisë së një shoqërie dhe ekonomie siç e gjetëm ne. Pra, unë ju siguroj se jo vetëm që nuk do të tërhiqemi nga asnjë gjë, por do vijojmë drejt.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ju ka drejtuar 9 kërkesa të karakterit ekonomik, që sot janë përkthyer në 31 amendamente. A jeni të gatshëm t’i bisedoni?

Ne jemi në krye të detyrës, aty ku kemi detyrën të jemi: në qeverisjen dhe në Parlamentin e vendit. Në çdo moment opozita është e mirëseardhur të vijë në Parlament dhe ne do të diskutojmë me të, por ne nuk do lëmë punën dhe të shkojmë ta gjejmë opozitën aty ku ajo ka vendosur të mblidhet për të diskutuar amendamentet e saj që, e përsëris, janë produkt i të njëjtit vizion, i të njëjtit program dhe i së njëjtës filozofi për shtetin që e shkatërroi Shqipërinë.

Vërehet se mazhoranca ka një fokus të veçantë për çështje si reforma për arsimin, çështje të bujqësisë, fasonët apo edhe vjedhja e energjisë elektrike. Çfarë po ndodh me reformën në drejtësi, një prioritet i juaji disa muaj më parë?

Kur ishim në opozitë e kemi thënë qartë se ka një problem në ekonominë e vendit sepse modeli ekonomik i zhvillimit të paqëndrueshëm, të bazuar tek remitancat e shqiptarëve në emigracion dhe tek industria e ndërtimit, ka mbaruar. Duhet të punojmë për të shfrytëzuar burimet e reja të rritjes. Së pari, energjia, e cila sot është një burim problemesh të pafundme, kemi trashëguar një sistem energjetik me 1.1 miliardë borxhe. Së dyti, kemi naftën dhe burimet minerare. Ajo që është bërë me naftën në Shqipëri është e pashembullt, është krim kombëtar. Naftë dhe burimet minerare janë shfrytëzuar në mënyrë barbare për xhepat e grupeve të caktuara dhe asgjë nuk ka përfituar ekonomia. Ne po i rikthejmë këto burime në drejtim të rritjes ekonomike dhe në funksion të popullit shqiptar. Së treti, është bujqësia. Sot kemi një rritje të ndjeshme të eksporteve, ndërsa vitin e ardhshëm do të kemi një rritje më të madhe sepse ne kemi filluar ta stimulojmë bujqësinë. Nga ana tjetër ne do të stimulojmë edhe më tej industrinë e manifakturës, fasonin në radhë të parë sepse janë vende pune.

Reforma në drejtësi duket se ka mbetur në vendnumëro…

Edi Rama: Reforma në drejtësi është në rrugën e vet sipas hapave të përcaktuara dhe në një periudhë të afërme do të ketë një përshkallëzim sipas kalendarit. E kam thënë edhe më parë, por po e përsëris edhe sot, vendosja e drejtësisë në vend vjen nga të qeverisurit me drejtësi, vjen nga sjellja e drejtë e shtetit me qytetarët dhe sipërmarrësit. Unë jam shumë i kënaqur sot që nuk kam dëgjuar ndonjë sipërmarrës që të thotë se nuk i është bërë rimbursimi i TVSH-së.

Zoti kryeministër, sa i shqetësuar jeni për marrjen e një kostoje politike, më së afërmi në zgjedhjet e vitit 2015, për këto reforma dhe vullnetit tuaj për të mos u ndalur? Natyrisht reformat janë përshëndetur nga qytetarët, por ka edhe të pakënaqur…

Po ju them shkurt. E dini pse Shqipëria u katandis aty ku u katandis dhe është sot në këtë gjendje që vazhdojmë të luftojmë përditë për ta nxjerrë? Sepse Shqipëria u qeveris për vite të tëra me filozofinë ‘unë të mbaj pushtetin dhe pas meje të bëhet qameti’. U qeveris me filozofinë që të mos u presim dritat qytetarëve sepse na mërziten dhe s’na japin votat; të mos u prishim ndërtimet pa leje sepse mërziten dhe nuk na japin votat; të mos bëjmë shtetin sepse na duhet pushteti. Për çfarë na duhet ky pushtet? Unë nuk kam kërkuar votat për t’u plakur në krye të qeverisë. Unë kam kërkuar votat bashkë me Ilir Metën dhe koalicionin tonë për të bërë ato gjëra që kemi marrë përsipër. Ato gjëra që kemi marrë përsipër janë shumë të bukura për t’u dëgjuar por kërkojnë mund, sakrifica dhe kanë dhimbjet e tyre për t’u realizuar. Nuk ka lindje që nuk ka dhimbjet e veta dhe nuk ka rilindje pa kostot e veta. Për sa na përket, ne jemi gati të marrim përsipër të gjitha kostot dhe nëse do të marrim një mandat tjetër atë do ta kemi bazuar në sa reforma bëmë dhe sa e vumë në vijë shtetin shqiptar.

A besoni se deri në fund të mandatit qeverisës mazhoranca juaj do t’i japë rrugëzgjidhje çështjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit? Një problem për të cilin mazhorancat e shkuara vetëm kanë folur, por nuk kanë bërë asgjë konkrete…

Këtu nuk ka ndonjë shkencë të madhe për t’i dhënë rrugëzgjidhje, ka modele të shëndetshme.

E keni zgjedhur modelin?

Bazuar mbi këto modele do të bëjmë detyrën karshi të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes. Në këndvështrimin tim, pa zgjidhur një herë e mirë raportin tonë me të shkuarën, si një raport i lirë, njerëzish të lirë me historinë e tyre, ne do të kemi gjithmonë probleme me të sotmen dhe me të ardhmen. Për këtë do të duhet kohë, por e rëndësishme është se çfarë na takon brenda kohës sonë ne do ta bëjmë pa nguruar për asnjë çast dhe pa menduar nëse humbim vota apo jo, por duke menduar vetëm një gjë, sa krenar do të jemi nesër përpara fëmijëve tanë për atë që bëmë me mundësinë e jashtëzakonshme që na u dha me këtë privilegj që rrallë herë mund t’i jepet një njeriu që të jetë kryeministër, ministër apo deputet i vendit të tij.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb