TIRANË

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, zbuloi sot përmes një postimi në “Facebook” atë që ai e quante “tregti kuajsh” ose “pazar”, që sipas tij, kryeministri Edi Rama i ofron Partisë Demokratike.

Pas postimit të Bylykbashit, “BalkanWeb” kontaktoi me zyrtarë brenda selisë blu për të mësuar më shumë lidhur me këtë “Pazar”, siç e cilëson deputeti Bylykbashi, sipas të cilit, Rama i ka ofruar PD-së disa bashki në hartë, në këmbim të zgjatjes së afatit të anëtarëve të Vettingut.

Lidhur me këtë, burime nga selia blu thanë për “BalkanWeb” se Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me PS, as me partnerët, sepse nuk është në prioritetin e kësaj force politike.

“Reforma territoriale është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimet që i mungojnë prej 6 vitesh, që kur Edi Rama njëanshmërisht miratoi reformën që në thelb kishte vetëm avantazhin e PS në zgjedhje. Po ashtu reforma zgjedhore duhet të nis me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike, dhe që fatkeqësisht ju prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtar. Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë”, thanë burime nga PD për “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb