Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka deklaruar se vendi i tij “mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Deklarata e tij u bë në një fjalim para Senatin italian të martën, ku kryeministri Draghi konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Shqipërinë, raporton Euractiv.

Ai tha se qeveria e tij është dakord me hapjen e negociatave dhe me zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kujtojmë që Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut paralajmëruan dje bojkot të Samitit të Bashkimit Europian më 23 qershor.

Rama e paralajmëroi vetë në “Twitter” mospjesëmarrjen në Samitin e Brukselit, ku Shqipëria është e ftuar, por ndërkohë Kryeministri u nis pasditen e djeshme në një udhëtim privat bashkë me djalin e vogël drejt Francës.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi refuzimin e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

E kjo për shkak të Bullgarisë dhe çështjes së hapur që ka RMV-në.

Rama shkruajti se nuk ka ndonjë arsye për të shkuar në Samit për sa kohë i gjithë Unioni është i rrëmbyer nga Bullgaria, një spektakël, që sipas tij, nuk është i mirë për t’u parë.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër ‘Jo, më fal!’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb