Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar këtë të premte një mbledhje me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.

Ai theksoi në këtë mbledhje rëndësinë e digjitalizimit, ndërsa shtoi se shumë shpejt do të bëhet publike një skemë kriminale e strukturave brenda sistemit të dhënies së pensioneve.

“Jemi në një situatë të turpshme me pensionet, me dhënien e marrjen e tyre, ndërkohë teknologjia na jep mundësinë për ta kapërcyer, po punojmë për ta kapërcyer.

Sot ne kemi probleme dramatike me dhënien e marrjen e pensioneve.
Struktura jonë anti korrupsion po heton mbi disa raste e shumë shpejt do kemi rezultate për të çuar para drejtësisë struktura brenda sistemit të dhënies së pensioneve apo postës që operojnë në mënyrë kriminale.
Kapërcimi nga ky nivel në një nivel transparence e shpejtësie është i mundur vetëm nëpërmjet teknologjisë. Do e shohim e do e bëjmë tani të gjithë bashkë sipas sektorëve”, theksoi Rama duke nënvizuar si thelbësor rolin e bankave të nivelit të dytë në këtë proces transformimi dhe për pensionet.

“Ne na duhet të ecim para me amnistinë fiskale që ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, që duhet strukturuar me shumë profesionalizëm në çdo detaj që të garantohet i gjithë ekuilibri mes nevojës së madhe për këtë proces në një vend ku kurrë s’ka pasur një moment formalizimi të parasë e nevojës që amnistia mos përdoret si shteg, si rrugë për kriminelë e të korruptuar. Por përtej kësaj na duhet të vijojmë transformimin teknologjik se është bekim i vendeve si i yni”, theksoi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: