Kryeministri Edi Rama foli për media në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, duke thënë se ishte një diskutim i gjatë, por interesant.

Kryeministri tha se është gati për të vijuar diskutimet pa ndërprerje që nga dita e nesërme, por ishte opozita jashtëparlamentare, e cila kërkoi më shumë kohë.

Teksa theksoi se ky proces duhet mbyllur me mbylljen e këtij sesioni parlamentar, Rama u shpreh se të gjitha palët nuk mund të jenë dakord 100%, por së paku të kenë pjesën e vet.

“Diskutimi ishte i gjatë, interesant. Ne nuk është se thamë ndonjë gjë të re, që dihen. Kemi qëndrim shumë të qartë dhe ka një realitet politik, i cili imponon një qasje që për ne është e diktuar si forca më e madhe, por që kemi dhe detyrimin të krijojmë një proces dhe të arrijmë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet. Në këtë aspekt, mendoj se është e rëndësishme të diskutojmë, të vazhdojmë të diskutojmë. Ne ishim gati të vazhdojmë diskutimin pa ndërprerje, që nesër, përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan kohë. Ne kemi një kalendar, i cili ka një kufi të përcaktuar, që është fundi i këtij sesioni parlamentare, pra fundi i muajit korrik”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb