TIRANE

I vendosur se vendi do të shkojë në zgjedhje vendore me 30 qershor, kryeministri Edi Rama, ka folur me tone të ashpra në drejtim të maxhorancës, dhe ish-kryeministri Berisha. Në takimin me kandidatët e PS për kryetarë bashkie, ku i porositi për sa më shumë takime e kontakte me njerëzit gjatë fushatës zgjedhore, Rama tha se 30 qershori do të bëhet momenti i ngjitjes së politikës në një stad të ri.

“Janë boll që i njëjti lider, që si president dogji Shqipërisë, si opozite dogji kryeministrinë, për të vrarë shefin e qeverisë, si kryeministër vrau protestues, të vahzdojë sot të kërcënojë përsëri me zjarr e me flakë këtë popull nga tmerri se mund ti vi më shpejt bileta e drejtësisë se ajo e takimit më shën pjetrin.” Tha ndër të tjera Rama.

“ Opozita e deridjeshme parlamentare, sot është kthyer fatkeqësisht në shëmbëlltyrën e asaj fantazme, duke risjellë në jetën e përditshme të shqiptarëve hijen e frikës nga përsëritja e historive të zymta me rrëmujë, destabilizim, gjunjëzim të shtetit dhe rënie të institucioneve. Është koha që këtë hije ta zmbrapsim njëherë e mirë, duke kthyer 30 qershorin në momentin e historisë tonë të re politike në demokraci, kur jo vetëm do të lindë një ditë e re përpjekjesh, për ta bërë më të mirë jetën e komuniteteve vendore të Shqipërisë, por edhe do të ngordhë përgjithnjë politika e pengmarrjes së procesit demokratik dhe kërcënimit të vetë shtetit si garant i rendit ligjor e publik për arsyet e mosarsyes së luftës për pushtet.

30 qershori duhet dhe do të bëhet momenti i ngjitjes së politikës shqiptare të këtyre 30 viteve në një stad të ri pjekurie e vetëdijeje demokratike; momenti i rënies përfundimtare të teorisë politike shqiptare se në fushën e lojës demokratike mund të fitosh edhe duke minuar fushën; momenti i daljes pa kthim nga skena shqiptare e përballjeve politike, e fantazmës së dhunës fizike mbi jetën parlamentare, jetën publike dhe jetën shoqërore të Shqipërisë.

30 vjet janë mjaft, për të thënë boll në 30 qershor!

Janë boll 30 vjet, që ky vend të mbahet peng, në radhë të parë, nga një individ që plaket si mos më keq, por si s’ka më keq, prej 30 vitesh ka shaluar gjuhën shqipe dhe masakruar çdo normë sjelljeje në mexhlis, qysh nga ato të shkruarat në kanunin e Lekë Dukagjinit, tek ato të latuarat në librin e vlerave universale të demokracisë.

Janë boll 30 vjet, që ky vend thith gazin e prodhuar nga i njëjti individ që urrejtjen klasore me të cilën u farkëtua nën kudhrën e Partisë së Punës e eksportoi në Partinë Demokratike dhe e mbolli në çdo parcelë politike të Shqipërisë në formën e një urrejtjeje të verbër mes shqiptarëve, për shkak të politikës që pas 30 vitesh në rrugën e përpjekjeve në demokraci çudit planetin me djegie mandatesh parlamentare.

Janë boll 30 vjet, që i njëjti lider politik, në krye të së njëjtës parti, i cili si President i Republikës dogji Shqipërinë, duke e çuar në buzë të luftës civile, si shef opozite dogji Kryeministrinë, duke e sulmuar me antitank e me kallashnikov, nën synimin e verbër për të vrarë shefin e qeverisë dhe për të marrë pushtetin me dhunë, si kryeministër vrau dhe plagosi me armë zjarri protestues që armët e tyre më të rrezikshme kishin ristelat e pankartave të protestës, të vazhdojë sot të kërcënojë përsëri, me zjarr e flakë këtë popull, nga tmerri se mund t’i vijë më shpejt fletëthirrja e drejtësisë, sesa bileta e takimit me Shën Pjetrin.

Janë boll 30 vjet, ngritje e rënie, rënie e ngritje, prishje e ndreqje, ndreqje e prishje, në përpjekjet për ta bërë këtë vend me shtet, ligje e rregulla të respektuara nga të gjithë dhe për ta çuar në dyert e Europës së Bashkuar që në 30 Qershor, në vend se populli të zgjedhë kush do të marrë stafetën e qeverisjes në bashkitë e vendit, shqiptarët të asistojnë në një tjetër triumf kombëtar të tezës antishqiptare se qenkemi një popull që s’kemi aftësi shtetformuese, sepse s’jemi në gjendje të respektojmë asnjë rregull që ne vendosim vetë.

Janë boll 30 vjet, që në 30 qershor të mos e ndajë më dysh historinë e kësaj periudhe të jetës sonë në këtë vend, duke u bërë bashkë, pa dallim, çdo shqiptar që s’do më zjarr në këtë shtëpi që quhet Shqipëri, çdo qytetar që s’do më kthim prapa për këtë vend që quhet atdheu ynë, çdo zgjedhës, që shkon-s’shkon në votim, s’do më muaj të pafundmë sherri e shamataje për ditën e zgjedhjeve të tij për vendin a bashkinë e tij dhe t’i japim fund kësaj marrëzie që politika kërkon ta kthejë në një sëmundje kronike të pashërueshme në qenien tonë shoqërore.

Janë boll 30 vjet, që ne të vazhdojmë të endemi dhe 30 të tjera pas 30 qershorit, në vorbullat që i ngre mbrapshtia e politikës, po i paguan shqiptari i zakonshëm, i paguan ekonomia e tij, që kështu s’ka për t’u forcuar dot kurrë në mënyrë të qëndrueshme, i paguan shteti i tij, që kështu s’ka për të qëndruar dot kurrë mbi politikën, i paguan fëmija i tij, që kështu kurrë nuk do të ketë një shtet dhe një ekonomi si gjithë Europa, kur të rritet dhe të bëhet prind.

30 qershori duhet t’i vendosë përfundimisht kufirin çdo politikani dhe grupi politik që në emër të popullit mund të flasë e të protestojë paqësisht sa të dojë, por popullin as mund ta zëvendësojë, as mund ta imponojë dhe as mund ta marrë kurrë peng me kapsolla, me bomba, me bllokime rrugësh e me sulme të dhunshme, për të ndryshuar me dhunë qeverinë e zgjedhur prej tij, apo ndaluar zgjedhjet përmes bojkotit të tyre dhe dhunës mbi to.

Jetojmë me të vërtetë në një kohë fatkeqësie mendore që ka pllakosur mbi debatin publik, ku jo thjesht vetëm një grusht udhëheqësish pa vizion, pa ide, pa asnjë urtësi intelektuale, por dhe pa pikën e zgjuarsisë natyrale dhe të edukatës elementare qytetare, në një aleancë partish njëra më e dështuar se tjetra, në sytë e shumicës së qytetarëve, por edhe lloj-lloj komentatorësh e montatorësh të tezave më absurde, flasin sikur në vend të gjakut kanë benzinë, në vend të gjuhës kanë shkrepëse dhe në vend të kokës kanë një shishe gati për të plasur në mexhlis.

Jetojmë me të vërtetë në një kulminacion të përplasjes mes një bote të zymtë gjysmë të vërtetash, që si të tilla janë dhe gënjeshtrat më të mëdha; Bota e atyre që kanë frikë nga zgjedhjet dhe nga SPAK-u dhe atyre që ligësia, mllefi, padituria e papërgjegjshmëria i ka kthyer në komentatorë e montatorë të një Shqipërie të zezë mediatike dhe një bote tjetër që ka të zezat dhe hijet e veta, por ka dhe ngjyrat dhe dritat e veta, bota jonë e reformave, arritjeve, dobësive, boshllëqeve, gabimeve, me përpjekjet për një Shqipëri që s’është ende as sesi ajo që duam, por kurrsesi s’është kurrë ajo që kishim vetëm 6 vjet më parë. ” -vijoi më tej kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb