Kryeministri Edi Rama foli në lidhje me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019-ë. Në një bashkëbisedim me banorët e Durrësit, zonë kjo e prekur më së shumti nga tërmeti tragjik, ai tha se të gjithë qytetarët që mbetën pa shtëpi ndodhen me qira që mbulohet nga shteti.

Ai shtoi se edhe personat që ndodhen në çadra, kanë zgjedhur vetë të qëndrojnë në ato kushte, por atyre sipas Ramës i jepet çdo muaj bonus qiraje. Kryeministri theksoi se në asnjë vend të botës, të cilat kaluan situatë të ngjashme si Shqipëria, nuk është ndërtuar me ritme kaq të shpejta. Ai mori rastin e Italisë, ku sipas tij atje ka ende qytetarë që jetojnë nëpër kabina.

I sfidoj të gjithë të më tregojnë një vend që ka mundur të rindërtojë më shpejt. Po kaq shpejt unë di, por më shpejt të ma thonë. Ka një gjë tjetër. Për sa kohë rindërtojmë nuk kemi lënë asnjë familje jashtë. Nuk është e njëjta gjë si të jetosh me qira dhe në shtëpinë tënde, kjo nuk ka ardhur nga ne. Nëse ndonjë familje e Durrësit nuk janë sot në apartamentet e tyre, edhe pse pjesa dërrmuese janë kthyer sepse ndërtimet po ecin me shpejtësi, të thotë që unë jam jashtë. Asnjë, të gjithë janë nëpër apartamente. Ne kemi pasur në momentet e parë në çadra 11.200 familje, sot në çadër ne kemi 693 familje. 683 ata që janë në çadër sot marrin çdo muaj bonusin e qirasë. Është zgjedhja e tyre për të jetuar në çadra, sepse kanë gjënë e gjallë, e kanë qytetin larg, ata marrin një për një bonusin e qirasë. Duke qenë se në Durrës ka shumë persona që jetojnë në Itali, krahasimet vlejnë shumë. Italia ka rate suksesi dhe mossuksesi me rindërtimin. Në Pinemonte përshembull është një rast i mirënjohur suksesi, është një nga rastet që merret si shembull dhe nuk janë bërë më shpejt sesa këtu. Të mos flasim më pas për zonat e tjera që ka persona ende nëpër kabina prej 11-12 vitesh. Sot në perimetrin e tërmetit, ne kemi ndërtuar më shumë shkolla të reja më shumë se qeveritë e mara së bashku në të gjithë Shqipërinë. Ti marrin dhe ti krahasojnë me shkollat e vendeve Evropiane, e të shohin çfarë ndryshimi kanë”, tha kryeministri.

Më tej ai nënvizoi ndihmat e siguruara nga konferenca e donatorëve. Kryeministri Rama tha se paratë e dhuruara prej tyre nuk i kanë kaluar në buxhetin e shtetit, por investimet që do të bëjnë do të menaxhohen nga vetë ata. Po ashtu ai theksoi se investimet që janë bërë deri më tani në Shqipëri janë bërë nga buxheti i shtetit dhe jo nga paratë e dhuruara nga ndërkombëtarët.

“Sigurisht që bota ne na ndihmoi shumë. Bashkimi Europian bëri një gjest të rrallë. Ne kemi pasur konferencën më të suksesshme të donatorëve krahasuar me rastet e ngjashme, edhe për këtë një meritë e kemi. Nuk thuhet se ne s’ishim gjëkundi dhe bota jo. Të gjitha çfarë keni parë deri më tani, shtëpi, shkolla, kopshte, çerdhe, janë ndërtuar me lekët e buxhetit të shtetit shqiptar, të gjitha komplet. Programet e konferencës së donatorëve janë programe të tjera. BE do të ndërtojë pjesën tjetër të shkollave, në Durrës kanë nisur shkollat me ndërhyrjen e tyre. BE ka dhënë 100 mln euro, nga të cilat një pjesë janë për shkollat dhe të tjerat nga trashëgimitë kulturore. Bota lekët e veta i menaxhon vetë. Shkollat që po ndërtohen nga BE menaxhohet nga ata. Nuk na kanë ardhur lekët në buxhetin e shtetit shqiptar”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb