Kryeministri Edi Rama thotë se është përjashtuar për arsye të konfliktit politik mundësia që emigrantët të votojnë në konsullatat apo ambasadat shqiptare që kanë më afër.

Sipas Ramës kjo do ishte e realizueshme, por për arsye të konfliktit politik dhe të lëvizshmërisë do haste në debate. Opsion i vetëm për mazhorancës është votimi me postë.

Rama zbuloi se AKSHI po punon për një opsion elektronik të regjistrimit, i cili përfshin listën e votuesve dhe të të interesuarve por nuk është ende i realizueshëm por nuk përjashtohet që të ketë një projekt- pilot për votën e emigrantëve.

‘’Duke qenë se, ju që e ndiqni nga larg, dhe ju që e shihni nga larg e shihni më mirë, procesi ka qenë konfliktual. Ulja në tryezë është bërë e vonuar. Në kushte shumë specifike, realizimi i kësaj mundësie është shumë i vogël. Sigurisht që për arsye historike të konfliktit politik, ne e kemi përjashtuar mundësinë e votimit nëpër ambasada dhe konsullata, që do ishte një arsye kontestimi dhe mosbesimi shumë të madh. Mund të ishte i realizueshëm nga pikëpamja e integritetit, dhe është më i vështirë nga pikëpamja e lëvizshmërisë, dhe konsullatën dhe ambasadën nuk e ka aq afër, do ishte po aq e komplikuar. Ne kemi lënë si alternativë të vetme votimin me postë. Por ka një sërë divergjencash. Adresën e tij apo të saj në vendin ku është. Proces që do kohë. Ne kemi ecur nga kuadri ligjor. Nuk kemi humbur kohë nga ana e infrastrukturës. Jemi në këto kushte sot. Opozita në parlament e ka këtë një kërkesë insistuese. Ne vetë e kemi objektiv. Ndërkohë jemi duke punuar çdo ditë dhe këtu është i pranishëm dhe ministri i brendshëm, edhe drejtorja e AKSHI-t. Po punojmë për një opsion elektronik të regjistrimit. Mes listës së votuesve që gjenerohet nga regjistri i gjëndjes civile dhe personave të interesuar. Por nuk jemi në kushtet që të themi që kjo do realizohet. Ne mund të hyjmë në këtë proces qoftë edhe me një projekt apo zonë, votim projekt- pilot. Por kjo është situata ku ndodhemi.’’- tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb