Kryeministri Edi Rama ka vendosur të pezullojë të gjitha prokurimet publike pa afat duke bllokuar fondet. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë është miratuar vendimi i cili i shtrin efektet që prej 5 korrikut dhe është vlefshëm si për fondet në dispozicion të njësive të qeverisjes qendrore dhe të autoriteteve kontraktore në varësi të tyre.

Sipas këtij vendimi, me kërkesë të argumentuar të titullarit të autoritetit kontraktor, për raste të veçanta dhe të nevojave urgjente, me miratimin e Kryeministrit, mund të lejohet vijimi i një procedure prokurimi.

VENDIMI
Nr. 482, datë 5.7.2017
PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT, PËR VITIN 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për
menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit
nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:

1. Pezullimin e përkohshëm të fillimit dhe të vijimit të procedurave të prokurimit të fondeve në
dispozicion të njësive të qeverisjes qendrore dhe të autoriteteve kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2017.
Përjashtohen nga ky rregull kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe prokurimet
për blerjet me vlerë të vogël.

2. Me kërkesë të argumentuar të titullarit të autoritetit kontraktor, për raste të veçanta dhe të nevojave urgjente, me miratimin e Kryeministrit, mund të lejohet vijimi i një procedure prokurimi.

3. Ngarkohen të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

[embeddoc url=”https://balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2017/07/Vkm-Nr.-482.-date-5.7.pdf”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: