TIRANË

Deputeti Spartak Braho ka komentuar sot deklaratat e presidentit Ilir Meta si edhe të opozitës, lidhur me përgatitjet për një grusht shteti në vend. Deklaratat Braho i bëri në mbledhjen e komisionit të sigurisë, në të cilin po diskutohet akti normativ i qeverisë për paketën Anti-KÇK.

“Çuditem me një gjë, nuk e kuptoj alarmin e opozitës dhe kreut të shtetit se po bën grusht shteti Edi Rama. Si mund të bejë grusht shteti Edi Rama kundër vetes së tij? Opozita mund të bëjë grusht shteti. Është jo vetëm qesharake por një lloj justifikimi. Jam deputet i vjetër dhe ka pas raste kur Sali Berisha ka tentuar grusht shteti. Si mund të bëjë mazhoranca grusht shteti kur pushtetin e ka.” u shpreh Braho. Ndër të tjera Braho theksoi se Shqipëria nuk është vendi i parë që aplikon masa të jashtëzakonshme kundër kriminalitetitm ndërsa solli si shembull Italinë apo SHBA, pasi u godit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit.

“Nuk jemi ne të parët që aplikojmë masa të jashtëzakonshme kundër kriminalitetit. Italia në vitet ’80, i ka aplikuar ato. SHBA pas 11 shtatorit aplikoi masa të forta që preknin të drjetat e njeriut. Edhe ne kemi zgjedhur këtë masë.” vijoi më tej Braho, ndërsa këshilloi zv/ministren Voda të bëjë kujdes me modalitetet e zbatimit të Anti KÇK-së.

Ndërkohë zv/ministrja Rovena Voda u shpreh se akti do të shoqërohet edhe me shpenzime në buxhet, një momentin që do të përfshihen edhe ekspertë të fushave të tjera, për të patur një hetim të plotë. Ndonëse nuk kishte një shifër të saktë, Voda tha se fondet do të vihen në dispozicion.

“Sigurisht do ketë shpenzime në buxhet kur të përfshihen ekspertë të fushave të tjera, për të pasur një hetim të plotë. Nuk është llogaritur saktë e nuk mund ta japë shifrën. Por meqenëse vullneti i qeverisë është për jetësimin e aktit, fondet do vihen në dispozicion.

Komiteti Kombëtar është vlerë e shtuar, pasi nxit bashkëpunimin mes të gjithë aktorëve, por edhe monitoron punën e Operacionit Forca e Ligjit.Ndoshta në mbledhjen vijuese të qeverisë do kalojnë aktet për strukturën dhe organikën. Struktura do të ketë degët e saj edhe në drejtoritë vendore.” u shpreh Voda, ndërsa e konsideroi një risi aksesin e policisë në databaza, pasi sipas saj efektivët do të kenë në dispozicion të dhëna që nuk i kanë patur më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb