TIRANË

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi deklaroi sot para mediave se vendimi i qeverisë për ndërtimet pa leje shpëton miqtë e tij milionerë nga burgu.

Bardhi tha se cendimi i qeverisë parashikon që kushdo që ndërton kulla pa leje apo kate shtesë pa leje, duhet ta deklarojë, t’ia shes shtetit për 1 euro, me pas mund ta blejë dhe e gëzon ndërtimin e paligjshëm i pashqetësuar.

“Ky akt është legalizim pa ligj i ndërtimeve pa leje, është amnisti penale pa ligj, duke i përjashtuar nga dënimi me burg, është certifikim i pabarazisë mes qytetarëve”, u shpreh Bardhi.

PJESË NGA DEKLARATA E TIJ
Ndërkohë që Edi Rama, nuk kthen përgjigje, sepse si “shtetar” ai shprehet me akte, me vendime qeverie. Dhe përgjigjen e dha më datë 7 Shtator 2022, ku miratoi vendimin nr. 589, duke konfirmuar se milionerët, miq të tij, gëzojnë statusin “të paprekshëm” dhe janë të ndryshëm nga 3 milion shqiptarët e tjerë, që nuk janë pjesë e oborrit të interesave të tij financiare.

Këtë akt për favorizimin e oligarkëve apo milionerëve, miq të Edi Ramës, zyra e tij e propagandës e shiti si “luftë të paparë kundër milionerëve”. E vërteta është që akti provon që milionerët e Edi Ramës që kanë ndërtuar kulla pa leje në mes të Tiranës, janë të ndryshëm nga 3 milionë shqiptarët e tjerë dhe veçanërisht janë të ndryshëm nga 3304 qytetarë që kanë shkuar në burg pse kanë rregulluar pa leje çatinë e shtëpisë së tyre.

Vendimi i qeverisë parashikon që kushdo që ndërton kulla pa leje apo kate shtesë pa leje, duhet ta deklarojë, tja shes shtetit për 1 euro, me pas mund ta blejë dhe e gëzon ndërtimin e paligjshëm i pashqetësuar. Ky akt është legalizim pa ligj i ndërtimeve pa leje, është amnisti penale pa ligj, duke i përjashtuar nga dënimi me burg, është certifikim i pabarazisë mes qytetarëve.

Me këtë akt Edi Rama ka kthyer paligjshmërinë në sistem, me këtë akt Edi Rama i dhanë leje shtetërore do oligarku që të shtojë pa leje sa kate të dojë, të ndërtojnë pa leje ku të duan, mjafton të paguajnë ca para më shumë, dhe pronën e gëzojnë të pashqetësuar. Ky vendim është në fakt një nxitje për milionerët e Edi Ramës për të vijuar të ndërtojnë kate pa leje.

Edhe pretendimi se milionerët do ta blenë ndërtimin e paligjshëm me çmimin e tregut, është një mashtrim. Çmimi i tregut që merret në konsideratë në këtë rast është çmimi i referencës që miratohet me VKM. Për ta thjeshtuar, shembullin po e japim me këtë ndërtim të paligjshëm. Në këtë zonë çmimi i tregut apo çmimi i referencës është rreth 1500 euro m2. Ndërkohë që nëse sot shkon në zyrën e shitjeve të kësaj kompanie, çmimi real i shitjes është 5000 euro m2. Pra ajo që bën Edi Rama është që i jep leje shtetërore oligarkëve të shtojnë kate pa leje sa të duan, dhe në fund nuk do të fitojnë 4500 euro për m2, por do të fitojnë 2500 euro për m2, mqs 1500 euro për m2 do ia paguajnë shtetit për blerjen dhe 500 m2 euro do paguajnë gjobë.

Në fakt ky vendim i Qeverisë është i paligjshëm. Është marrje në mbrojtje shtetërore të paligjshmërisë. Është cenimi më brutal që i bëhet shtetit ligjor.

Ligji e rregullon në mënyrë shteruese se çfarë ndodh nëse kryhen shtesa pa leje për qëllime fitimi, duke parashikuar 4 masa:
1- Gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje;
2- Prishje ose konfiskim për interes publik të punimeve të kryera pa leje, pra kalimin në pronësi të shtetit të kësaj pasurie;
3- Mos dhënien e lejes së shfrytëzimit dhe për pasojë pamundësinë për ta tjetërsuar edhe pjesën tjetër të pronës.
4- Referim në prokurori dhe dënimin me burgim për ndërtim të paligjshëm;

Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë pse nuk zbatohet ligji për milionerët e tij, njëlloj siç zbatohet për qytetarët e tjerë të këtij vendi. Pse nuk ka asnjë përgjegjësi penal për ndërtuesit e paligjshëm dhe pse nuk ka asnjë masë për zyrtarët që nuk kanë vepruar? Pse policia shkon në mal tek një fshatarë që po rregullon çatinë, por nuk shikon Kullat pa leje në mes të Tiranës?

Ligji është i mjaftueshëm dhe vetëm duhet të zbatohet. Nuk ka autorizuar dhe as nuk ka nevojë për miratimin e një vendimi qeverie. Pasuria konfiskohet dhe më pas ajo tjetërsohet sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, me garë dhe transparencë. Nëse duhet të shitet, shitet me garë, kush ofron më shumë fiton pronësinë mbi atë pasuri.

Ligji nuk njeh as mundësinë e legalizimin, as mundësinë e parablerjes, as mundësinë e shmangies nga përgjegjësia penale. E vetmja gjë që njeh ligji është detyrimi i Edi Ramës dhe institucioneve në varësi të tij për ta zbatuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb