TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë dhe komisioni i Ligjeve brenda datës 19 dhjetor ligjin e posaçëm për rindërtimin pas tërmetit të fortë që goditi vendin më 26 nëntor, duke lënë 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra të pastrehë.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Rama tha se do të udhëtojë sot drejt Bratislavës për marrjen e Presidencës së OSBE-së dhe nesër do të jetë në Turqi për konferencën e organizuar nga Presidenti i Turqisë Erdogan me donatorët për Shqipërinë. Fillimisht ai kërkuar informacion për nevojat për çadra për qytetarët që janë ende të strehuara në to. Ministri Blendi Çuçi informoi se janë 7400 persona në çadra, nga këto rreth 30% kanë nevojë për zëvendësim.

“Shqipëria merr presidencën e OSBE-së dhe duhet të shkoj sot në Bratislavë për të marrë detyrën. Pastaj nesër do shkoj në Stamboll në takimin e madh që ka organizuar presidenti me donatorë e biznesmenë, ndërkohë që po përgatitemi dhe për konferencën e donatorëve të rajonit verilindor. Unë i kam thënë besoj do kthehem me çadra me vete. Por të kemi parasysh organizimin e gjithë kësaj logjistike. Ka vlerë të madhe për të qenë pjesë e gjithë logjistikës sonë tonë në vijim”, tha kreu i qeverisë.

Më tej ai u ndal tek ligji i posaçëm i rindërtimit të lagjeve për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti.

“Së pari Ferhati në emër të komisionit të ligjeve, Etilda dhe Edlira nga kryeministria duhet të çojnë përpara procesin dhe të kenë draftin e ligjit të posaçëm për rindërtimin. E di që është koha e shkurtër. Por objektivit është që në datën 19 në seancën e fundit ne të çojmë ligjin e posaçëm për rindërtim me gjithë parametrat. Është shumë e rëndësishme që të kemi një ligj të posaçëm për rindërtimin. Mendoj që rindërtimin duhet ta koordinojë si agjenci Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, u shpreh Rama.

Një prej objektivave të artikuluara nga shefi i ekzekutivit ishte dhe një klauzolë e veçantë për ligjin e shpifjes në gjendjen e jashtëzakonshme, duke kërkuar ashpërsim të dënimit.

“Mendoj që në këtë seancë duhet të përcaktojmë një klauzolë të veçantë në ligjin e antishpifjes që besoj do të hyjë në seancë në datën 19 më në fund për gjendjen e jashtëzakonshme. Shpifja në gjendjen e zakonshme është e dënueshme, shpifja në gjendje të jashtëzakonshme duhet të jetë e superdënueshme. Lajmet e rreme dhe lodrat mediatike në situata si kjo që kaluam, janë kriminale. Mjafton rasti i Durrësit, një lajm kriminal i shëprndarë se po bie spitali i Durrësit, solli një të vdekur, pa llogaritur kaosin dhe të plagosurit në përpjekjen për të ikur me vrap nga spitali. Spitali nuk kishte asgjë. Janë gjëra që duhet të dënohen fort”, deklaroi Rama.

Më tej ai ka porositur ministrin për mbrojtjes e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi për një konferencë me dhomat e tregtisë së rajonit.

“Për konferencën e dhomave të tregtisë që do bëjmë paralelisht me takimin e tretë për forcimin e bashkëpunimit rajonal, me gjithë dhomat e tregtisë të rajonit për të pasur një konferencë domethënëse edhe në këtë aspekt me kompanitë që veprojnë në aspektin rajonal, eksportues, tregtar”, tha Rama.

Ndërkohë ministri Klosi ka kërkuar që të ketë një certifikim të veçantë nga ekspertët për hotelet në Durrës të kërkuar si garanci nga operatorët e huaj turistikë.

Qeveria 1
Qeveria 1

“Ne kemi përfunduar pothuajse pjesën e parë të akomodimit. Ka familje që largohen apo që e kuptojnë që nuk mund të rrinë më. Duhet të fillojë dalja nga ky regjim. Brenda këtij viti, deri për festat e fundvitit do ketë një masë të madhe në hotele por do fillojnë të lëvizin nga këto hotele sidomos nga hotele që janë për rikonstrukturim për sezonin dhe nuk duam t’i dëmtojmë. Ne po punojmë që të krijojmë një aktivitet rajonal po mbase më gjerë se rajonal, me industrinë e turizmit pasi kemi nevojë të mendojmë që destinacioni i Durrësit është destinacioni ynë kryesor në sezonin e ardhshëm dhe duhet te jepet garanci që është i padëmtuar dhe këtu kemi shumë nevojë që grupi i ekspertëve të ketë një linjë të posaçme për hotelet pasi operatorët turistikë të huaj kërkojnë garanci për fortësinë e hoteleve. Do doja shumë që të kemi një linjë të certifikimit, të fortësisë së hoteleve sidomos në Durrës, i cili është i rrezikuar si destinacion për sezonin e ardhshëm turistik”, deklaroi Klosi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb