TIRANË

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi ka reaguar pas aksionit të sotëm të IKMT-së në “Prestige Resort”.

Bardhi shkruan se sot Edi Rama me deklaratë zyrtare të Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Financave, pranon ndërtimin e një shteti privat, ku ligj është vetëm vullneti i tij.

Sipas Bardhit, vetëm kush është me të, kush nuk denoncon qeverinë, kush vazhdon të hajë dhe pijë me të, kush ndan para me të, mund të ndërtojë pa leje, mund të bëjë biznes të paligjshëm, mund të vjedhë dhe vrasë.

POSTIMI I PLOTË
Qeveria ka reaguar sot 3 herë lidhur me ndërhyrjen e institucioneve shtetërore në një pronë private në pronësi të një grupi mediatik, por pa dhënë asnjë shpjegim. Në vend të transparencës për publikun, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave, me gjuhë identike, akuzuan grupin mediatik në fjalë për “shantazh dhe presion” ndaj zyrtarëve publik, duke përdorur në fakt të njëjtën akuzë për të cilën grupi mediatik akuzonte Qeverinë, se ndërhyrja e sotme ishte në kuadër të shantazhit dhe presionit që po i bëhet prej kohësh këtij grupi mediatik për të ndryshuar linjën editoriale të tyre.
Nuk marr përsipër të deklaroj ligjshmërinë apo paligjshmërinë e ndërtimeve në pronën private konkrete, për shkak se nuk e njoh rastin në fjalë, sikundër i qëndroj fort parimit që ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, pavarësisht se kush është personi që e shkel atë. Por vendosa të reagoj vetëm pasi u njoha me “sqarimet” qeveritare, sepse më krijohet bindja se aksioni i sotëm nuk ka aspak të bëjë as me zbatimin e ligjit, as me barazinë përpara ligjit dhe as me kontrollin e ligjshmërisë së ndërtimeve në territor.
Qeveria me arrogancë e pranon se po e bën për shkak të “shantazhit dhe presionit” që media po i bën Qeverisë, duke harruar që në fakt ajo që Qeveria quan “shantazh dhe presion”, ndryshe “denoncim ndaj aferave qeveritare” është thelbi i LIRISË SË MEDIAS.
Sot Edi Rama me deklaratë zyrtare të Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Financave, pranon ndërtimin e një shteti privat, ku ligj është vetëm vullneti i tij. Sot ai pranoi atë që kam denoncuar më 14 Korrik 2022, se vetëm kush është me të, kush nuk denoncon qeverinë, kush vazhdon të hajë dhe pijë me të, kush ndan para me të, mund të ndërtojë pa leje, mund të bëjë biznes të paligjshëm, mund të vjedhë dhe vrasë, sepse ligji nuk zbatohet, institucionet ulin kokën dhe nuk veprojnë.

Bardhi Fb
Bardhi Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb