TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të Republikës mbi kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador të Vatikanit. Në faqene e tij zyrtare të Facebook, Rama e cilëson kundërshtimin e Nishanit, “ridënim të Visar Zhitit”, ndërsa shprehet se ai ka qenë i vetmi deputet dhe ministër i PD-së që nuk ka fyer dhe s’ka shpifur për askënd.

“Poet i rrallë. I burgosur politik i diktaturës. Shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës. E propozojmë për ambasador të Shqipërisë në Vatikan. Një figurë lokale e kishës katolike shqiptare prononcohet me rezerva ndaj tij. Prononcim i papranueshëm për të cilin vetë ati në fjalë kërkon ndjesë publike. Komisioni i Jashtëm i Kuvendit i jep Visar Zhitit mbështetje pa asnjë rezervë. Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën. Kandidatura është në tryezën e Presidentit të Republikës për firmë. Presidenti i Republikës, përmes një prononcimi për një emision lajmesh deklaron mosdekretimin e Visar Zhitit”, shkruan Rama në Facebook.

Sipas kryeministrit, argumentet e Kreut të Shtetit, janë rifabrikim i deklaratave të Zhitit, si dikur poezitë e tij. “Argumenti i zotit President? Kandidati për ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan, paska cenuar kishën me një prononcim publik! Një prononcim ky i fundit në fakt, krejt i pafajshëm dhe, njësoj si poezitë e pafajshme dikur, rifabrikohet si arsye e lartë shtetërore për të ndëshkuar Visar Zhitin”, thotë kreu i ekzekutivit.

Më tej ai shton se institucioni i Presidentit është rrënuar nga PD-ja, si gjithë shteti që la pas më 23 qershor, por pavarësisht kësaj, Visar Zhiti nuk mund të dënohet si herën e parë.
“Jam zotuar të mos i komentoj në publik kundërshtitë e mia ndaj Presidentit të Republikës. Sepse Bujar Nishani është kalimtar, ndërsa Presidenti i Republikës është një institucion themelor i shtetit shqiptar – edhe pse i rrënuar nga Partia Demokratike në pushtet, njësoj si tërë shteti që ai pushtet la pas në 23 qershor. Por sot, unë nuk mund të hesht dot në asnjë mënyrë. Sepse ky është ridënimi i Visar Zhitit. Fatmirësisht më i lehtë se i pari. Sepse poeti nuk do të kyçet në burg; djali nuk do të shkëputet për së gjalli nga nëna; bashkëshorti nuk do të ndahet me përdhunë nga gruaja. E megjithatë, ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë. Sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike, nuk mund të ridënohet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike”, ka përfunduar deklaratat e tij kryeministri Rama.

Presidenti Bujar Nishani, nuk ka pranuar të dekretojë Visar Zhitin si ambasador në Vatikan, pasi sipas tij, kryeministri nuk është konsultuar me të para zgjedhjes. Por pas një sërë reagimesh si nga ana e vetë Zhitit, ashtu edhe nga Kisha Katolike, Nishani tha se shkrimtari i njohur nuk mund të shkojë ambasador në Selinë e Shenjtë pasi quajti inkuizicion mospranimin e tij nga ana e Kishës.

NISHANI: RAMA PO E DËNON E TURPËRON ZHITIN, DUKE E KANDIDUAR JASHTË PROCEDURAVE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i është përgjigjur në distancë, akuzave të kryeministrit Rama në lidhje me mosdekretimin e poetit Visar Zhiti, si ambasadorin tonë në Vatikon.

Sipas Nishanit është kryeministri ai që po e përdor për qëllime politike Visar Zhitin dhe me këtë ai jo vetëm e dënon, por edhe po e turpëron figurën e tij, duke e kandiduar jashtë procedurave.

“Kryeministri nuk lë rast pa dëshmuar se preferon shoë-n, ekzibicionin, gjestet, pra kollajllëkun, shumë më tepër se thellësinë, seriozitetin, punët. Fjalët e fryra të Kryeministrit janë tullumbace sapuni pa asnjë peshë që plasin dhe zhduken nga prekja më e lehtë me cilindo argument. Kryeministri nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se Visar Zhiti nuk është nga poetët “e rrallë” të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga cilësimi “i rrallë’.
Po, Visar Zhiti nuk ka shpifur për askënd. Për Visar Zhitin kanë shpifur pafund shëmbëlltyrat e barrikadës sigurimiste qe ndikojnë sot vendim-marrjen. Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedurial, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; Konsultimin paraprak me Presidentn e Republikës. Kryeministri nuk e di se në tryezën e Presidentit asgjë dhe askurrë nuk është thjesht “për firmë”. Me këtë padije kaq të thellë proceduriale Kryeministri provon për të disatën herë një mungese serioziteti sa të pabesueshme dhe të papranueshme për një Kryeministër”, thuhet në reagimin e Presidentit në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Sipas Nishanit, “Kryeministri duhet ta mësojë një herë e përgjithmonë se dekretimi apo mos-dekretimi i ambasadorëve, është e drejtë ligjore e e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës. Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti. Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit. Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador. Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë. Kryeministrit nuk i lypset të zotohet të mos e komentojë Presidentin. Të mos e komentoje Kryeministri Presidentin është një minimum etike që, si e tillë, nuk përbën asnjë meritë, nuk meriton asnjë lëvdatë, e aq më pak autolëvdatë. Megjithatë, nëse gjithsesi, një zotim ose bëhet dhe mbahet dhe zotuesi lëvdohet, ose bëhet dhe nuk mbahet dhe zotuesi turpërohet. Se ta bësh një zotim, të vetlëvdohesh se e ke bërë, dhe, përtej çdo rrethane apo çfardo kombinimi sado të pafavorshme rrethanash, zotimin të mos e mbash, zotuesi nuk mundet, si po bën Kryeministri, që vetlëvdohet. Por mesa duket nga lëvdimi, autolëvdimi, turpërimi, autoturpërimi Kryeministri ynë nuk ka asnjë haber. Prandaj dhe lëvdatat e vetlëvdatat i bën dhe i ribën edhe kur zotimin e mban edhe kur zotimin nuk e mban, çka është një turp që s’ka kandar që e peshon. “Argumentat nuk numërohen, argumentat peshohen”, thotë një fjalë latine e pakontestuar nga kurrkush deri më sot. Kryeministri ynë fatkeqësisht këtë pohim nuk e respekton”, përfundon reagimi i kreut të Shtetit.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb