TIRANE – Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama akuzoi Presidentin e Republikës, Bujar Nishani se doli në mbrojtje të trupës gjyqësore sipas tij, të korruptuar, që do të gjykojë çështjen e pallateve tek diga e liqenit artificial.

“Dhe ju që u angazhuat, deri edhe më armë për ndërtimin një parku lojërash, nuk bëzani, por përkundrazi angazhuat presidentin për të dalë publikisht dhe për të marrë në mbrojtje trupën më të korruptuar që mund të përfytyrojë mendja normale po të njohë ligjin, dhe të shohë konfliktin e interesit. Dhe pastaj vini kujën se pse doli në protestë kreu i bashkisë. Po të mos kishte bërë atë protestë dhe po të mos kishte ndarë me opinionin publik, sot do të ishte zbardhur një vendim me trupën e një konflikti interesi. Sot bëni të paditurin, aq më tepër këtu ku keni vetëm një armë, kriminalizimin e përditshëm.”- deklaroi Rama.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar Presidenti i Republikës, përmes një deklarate të shpërndarë për mediat. Nishani theksoi se “të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt”.

Sipas Nishanit, Rama po keqpërdor Kuvendin për të fyer dhe shpifur ndaj Presidentit të Republikës.

REAGIMI I PLOTE I PRESIDENTIT NISHANI
“Institucioni i Presidentit të Republikës është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament, i cili duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikës.
Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar.
Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt”.
“Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë.
Gjithashtu i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale.
Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike.
Të luftoje bandat e krimit të organizuar.
T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor.
Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë.
Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj.
Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit.”
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb