TIRANE – “Just play, have fun, enjoy the game”. Shprehja e njohur e basketbollistit Michael Jordan duhet tu vlejë sot të gjithë atyre që do të shkojnë në stadium”. Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, gjatë takimit që zhvilloi me grupin e studentëve serbë, që do të ndjekin ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”.

Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se sot më e rëndësishme se ndeshja, është të fitojë qytetaria dhe tradita e mikpritjes së shqiptarit.

“Nuk e fshehim që është një ndeshje me emocione shumë të forta. Eshtë me rëndësi shumë të madhe që Shqipëria të fitojë. Ministri do thotë është me rëndësi që Serbia të fitojë, por më e rëndësishme është që të fitojë qytetërimi. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme të fitojë tradita e mikpritjes jo vetëm për mikun por edhe për kundërshtarin. Në kodet tona më të vjetra ka një sërë porosish për mënyrën se si duhet trajtuar me respekt edhe armiku, për më tepër që ne s’jemi më armiq, përkundrazi në fushën e futbollit jemi kundërshtarë, ndërsa në fushën e gjerë të jetës sonë të përbashkët duam të jemi miq përditë e më të mirë”- deklaroi Rama.

Duke shprehur keqardhje për sulmin me gurë ndaj autobusit të kombëtares serbe në Tiranë, kryeministri Rama tha se kjo ngjarje tregon se rreziku i nacionalizmit është i pranishëm edhe tek gjenerata e re.
“Më vjen shumë keq që dje një djalë 14-15 vjeçar hodhi një gur drejt autobusit të skuadrës kombëtare të Serbisë, dhe kjo tregon se sa shumë ka ende për të bërë dhe se pavarësisht se gjenerata tjetër mbart me vete etjen e madhe për ndryshim dhe sjell me vete ëndrrat e një bote të re, rreziku i nacionalizmit, rreziku i frymës së urrejtjes dhe përjashtimit është i pranishëm gjithmonë edhe brenda çdo gjenerate tjetër. Duhet të bëjmë gjithnjë e më shumë për edukimin, njohjen e vlerave të bashkëjetesës, që në fat ashtu siç na i kanë mësuar ne prindërit tanë, të parët tanë, me siguri ua kanë mësuar edhe juve në shtëpitë tuaja.”- tha Rama.

Sipas kryeministrit, “ndeshja sot pavarësisht nga rezultati të jetë një arsye për të pasur më shumë shpresë më shumë dëshirë për të vazhduar bashkëpunimin”.
“Jemi shumë të vegjël për të qëndruar vetëm dhe për të mos bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Rënia e kufijve mes nesh dhe mes gjithë vendeve të Ballkanit është një domosdoshmëri për të pasur një hapësirë shumë më të madhe për ekonominë, kulturën mirëqenien e gjeneratës suaj dhe gjeneratave të tjera”- tha Rama.

Kryeministri theksoi se serbët dhe shqiptarët mund të bëjnë për Ballkanin atë që bënë Franca dhe Gjermania për Evropën.
“Ballkani i së nesërmes do të ndërtohet mbi këtë kthesë historike mes shqiptarëve dhe serbëve”- tha Rama.

Studentët serbë dhe ministri serb i arsimit vizitojnë Shqipërinë si pjesë e marrëveshjes mes Beogradit dhe Tiranës për krijimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, që u njoftua në gusht nga kryeministrat respektivë, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama.

NIKOLLA:-STUDENTËVE: JENI BËRË PJEESË E NJË PROCESI NDRYSHIMI
Ministra e Arsimit Lindita Nikolla deklaroi se të rinjtë serbë dhe ata shqiptarë janë bërë pjesë e një procesi ndryshimi.

“Po, ju ia keni dalë të jeni pjesë e historisë shumë të bukur të 50 familjeve shqiptare. Kam marrë mesazhe, foto nga prindërit e studentëve shqiptarë duke e përcjellë si histori të bukur të familjeve tuaja. Kam qenë kurioze të di se çfarë kemi biseduar, çfarë gatimi special kanë gatuar për ju…U bëtë pjesë e një procesi ndryshimi, që përmes historive të kësaj vizite do kuptohet sa të rëndësishme janë urat e komunikimit”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb