Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të hënë programin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.

Së pari, Rama është ndalur te programi për emigracionin, duke thënë se vizioni i tij është që në dekadën e ardhshme Shqipëria të bëhet destinacioni më i kërkuar turistik në rajon. Mes të tjerash, Rama tha se plani i tij ka për qëllim të nxisë emigrantët shqiptarë të shohin nga Shqipëria si mundësi e re.

“Studiuesit e Harvard tregojnë se të rikthyerit nga emigrimi krijojnë punë jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Duke qëndruar te bujqësia, besoj fort se rritja e eksporteve vitet e fundit lidhet pikërisht me rikthimin e emigrantëve, që vijnë duke investuar këtu në prodhim bujqësor për eksport. Kam takuar disa prej tyre dhe shifrat e tyre vetëm rriten. Vizioni im i Shqipërisë 2030, si një vend ku zgjedhja e parë të jetë Shqipëria dhe jo emigrimi, është rritja e investimeve në 10 vitet e ardhshme. Kemi punuar me një grup të gjerë të skuadrës, ekspertë të qeverisë dhe ndërkombëtarë, dhe patjetër që për të gjitha këto që themi jemi të vetëdijshëm që duhet një plan për ta shfrytëzuar ndryshimin.

Në rastin konkret, këta elementë të analizuar janë aty, po nëse ne nuk e shfrytëzojmë ndryshimin, sigurisht që gjërat mund të mos shkojnë në drejtimin e duhur. Ky plan ka këtë qëllim, të nxisë, në këtë drejtim, emigrantët shqiptarë të shohin nga Shqipëria si mundësi e re. Ditët dhe javët në vijim do të jenë momente të njëpasnjëshme shpalosje të këtij plani. Unë jam plot shpresë e besim se Shqipëria mund dhe do të bëhet në këtë dekadë një vend shumë më i favorshëm, qoftë destinacioni më i kërkuar turistik i këtij rajoni, si dhe një qendër e gravitetit rajonal. Plani ynë i veprimit 2021-2025 i shtron këto në mënyrë konkrete. Ne do iu ofrojmë emigrantëve një perspektivë të re mbi vendlindjen, duke stimuluar në mos kthimin e tyre, rrugë të reja për të investuar këtu”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb