Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm këtë të martë në Elbasan, ku zhvilloi një takim me studentët.

Rama i cilësoi problematikat e studentëve si të drejta dhe shtoi se qeveria nga ana e saj po merr të gjitha masat për të bërë përmirësime, duke nisur sipas kryeministrit, që nga viti 2022.

“I gjithë ky proces që është ndërmarrë nga ministrja për Rininë dhe Fëmijët, është një proces që mund të duket nga larg si një rutinë takimesh, por në fakt është një proces shumë ndihmues dhe konstruktiv sepse ka gjëra të cilat janë shumë të prekshme dhe janë pjesë të gjërave të përditshme të një komuniteti të caktuar, si është ai i nxënësve dhe që i shpëtojnë syrit të atyre që marrin vendime dhe përgatisin vendimmarrjet. Ballafaqimi me subjektet e një strategjie apo vendimmarrje të caktuar ndihmon shumë për t’u fokusuar në gjëra që mund të shpëtojnë nga fokusi i vendimmarrësve.

Ju përmendët këshillimin e karrierës dhe vjen nga fakti që kjo është i dobët si proces, mekanizëm apo takim. Këtu u përmend vlerësimi i nxënësve, jo vetëm për çfarë thonë apo shkruajnë kur bëjnë provimet me lëndët, por edhe vullnetarizmit, në çdo takim e kam dëgjuar. Në buxhetin e vitit 2022 kemi vendosur një shumë të posaçme për të adresuar problemin e laboratorëve, sepse rezulton që janë në dispozicion në letër, apo dhe në shkollë, por në shumë raste faktikisht janë të pajisur në mënyrë shumë modeste dhe sigurisht kur janë të pajisur keq, edhe mësimi vetvetiu nuk e ka atë impakt apo interes që mund të kishte. Tjetër gjë që kam dëgjuar kudo është problemi i rasteve që janë jo të pakta, të mësuesve që japin lëndë teknike të rëndësishme, deri te mësueset e IT. Kjo duhet adresuar me urgjencë, si dhe kemi vendosur fond të veçantë për të ndryshuar mënyrën e mësimit të informatikës.

Edhe problematika e sporteve është e vërtetë. Ne këtë e kemi vendosur si problematikë. Kemi hartuar dy programe dhe kemi vendosur buxhetin e nevojshëm. Mungesa e një hapësire të mbushur me aktivitete jashtë shkollore, ku mund të jesh një person aktiv dhe spektator, në rast se ka konkurse, kampionate dhe një pjesë përfshihen si protagonistë dhe një pjesë si shikues, ne këtë do të përpiqemi ta mbushim hap pas hapi. Për mësuesinë kemi rritur nivelin e kërkesës për nxënësit që duan të futen në të. Më parë më të dobëtit kishin mundësinë për t’u bërë mësues e për të mësuar të tjerët, por sot nuk është kështu. Roli i mësuesit bëhet i rëndësishëm. Nuk është më mësuesi një top futbolli që gjuhet sipas politikës, mësuesit janë më të respektuar dhe stabilizuar në punën e tyre. Nuk ka më ndërhyrje me mik apo me lekë, sepse kemi portalin mësues për Shqipërinë, ku nuk ka krahasim me atë më të parën. Kemi futur në buxhet që mësuesve t’i rritet paga sepse janë shumë të rëndësishëm.

Na takon ne të përkthejmë në vendime dhe mekanizma këto nevoja, patjetër. Unë pavarësisht pozicionit dhe kur flas në këtë rast nuk kam ndryshuar mendim se si e shoh këtë punë. Çdokush është i lirë të marrë vendimin për veten e vet se çfarë do të bëjë. Nuk jetojmë më si përpara 30 vitesh ku nuk e kishim këtë dilemë, nuk ia bënim këtë pyetje vetes. Ndërkohë që kur njeri është përpara dilemave duhet të bëj zgjedhjet e veta, por meqë u pyetëm këtu unë do nisem nga e kundërta, nuk do të thoja arsyet pse përse duhet të iki, por duhet të them arsyet se përse nuk duhet të iki.

Nëse këto nuk janë të mjaftueshme do të bëja balancën, por një gjë është e sigurt, në të gjitha rastet, në Shqipëri, jashtë Shqipërisë, kjo botë është e atyre që guxon dhe janë të vendosur. Më pas, sigurisht që çdo njeri bën zgjedhjet e veta se ku do të shkojë dhe sa lart do të ngjitet”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb