Kryeministri Edi Rama tha gjatë takimit online me këshillin koordinues të diasporës se procesi për marrëveshjen e Reformës Zgjedhore ishte i vështirë dhe i pandodhur më parë, pasi në të nuk merrnin pjesë dy palë, por tre.

Sipas kreut të qeverisë, skena e palëve politike që duhet të merren vesh për zgjedhjet është trepolare, ku nga njëra anë është shumica dhe në anën tjetër janë opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare.

“Ajo që duhet sqaruar është se ne jemi në një proces të reformës zgjedhor, që është një proces i pandodhur më parë, pasi sot nuk jemi dy palë, por tre. Skena e palëve politike që duhet të merren vesh për zgjedhjet është trepolare, shumica parlamentare, opozita jashtë parlamentit dhe opozita brenda parlamentit. Kodi dhe Reforma Zgjedhore në tërësi kërkojnë një shumicë të cilësuar, që ne nuk e disponojmë sot numerikisht në Kuvend.

Nga pikëpamja e traditës ne duam të respektojmë procesin gjithëpërfshirës. Kjo nënkupton mirëkuptim mes tre palësh, ne si shumicë me dy pole të tjera politike, që pavarësisht se janë produkt i të njëjtit bark, sot janë në divergjencë ekstreme me njëri-tjetrin. Për këtë neve na duhet një mirëkuptim me të treja palët. Kur vjen puna te vota e emigrantëve nuk ka divergjencë të shfaqur, por nuk është se kemi një dakordësi në këtë moment”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb