TIRANË

Anëtari i Kryesisë së PD-së Aldo Bumçi akuzi kryeministrin Edi Rama se kishte projekt për ta vrarë opozitën në Shqipërisë, siç veproi Aleksandër Vuçiç në Serbi.

Bumçi ka qenë sot në studion e “Opinion” në News24 ku ka folur për situatën nga përmbytjet në vend, seancën në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, vendimin e Alibeajt për përjashtimin e 4 deputetëve të PD si dhe aksionin opozitar.

Bumçi tha se kjo është një situatë në të cilën Shqipëria e gjen veten për herë të parë në këë braktisje, duke iu referuar largimeve nga vendi.

Sa i përket reshjeve, ai tha se nuk ka pasur masa dhe se një pjesë e bashkive janë të falimentuara dhe e kanë të pamundur të investojnë.

“Reshjet kanë qenë të dendura. Pra, faktori i motit është i pamohueshëm, por nga ana tjetër përmbytjet ndodhin pasi nuk ka investime dhe masa për t’i parandaluar.
Ka zona për faktin që kanë qenë zona kënetore dhe janë në nivel me detin ose janë pellgje ujëmbledhës, por nga ana tjetër çfarë bëhet.
Në 2005 kur erdhëm në qeverisje u bënë ndërhyrje të domosdoshme dhe investime të shumta.
Marrim rastin e Lezhës, u zgjerua kanali i Drinit. Deti përmes rërës mbyll grykëderdhjen e lumit, u zgjerua dhe u ndërtua një kalatë për të bllokuar grumbullimin e rërës. U bënë disa ndërhyrje. Këto masa nuk parandalojnë 100% përmbytjen, por nuk ndodhin përmbytje me 30-40 mm shi.
Reshjet kanë qenë një ditore intensive, por nëse do ishin marrë masa nuk do kishte përmbytje, me zgjerimin e kanaleve, me ndërhyrjen në hidrovore të cilat nuk punojnë me kapacitet të plotë.
Bashkitë janë lënë pa fonde ose për shkak të politikave të gabuara kanë shtuar numrin e punonjësve në mënyrë dramatike. Ka bashki të falimentuara, hera e parë në historinë e shtetit shqiptar. Janë më shumë se sa deklaron ministria e Financave dhe këto bashki nuk janë në gjendje të marrin masa”, tha Bumçi.

Duke iu referuar kërkesës së deputetëve të PD-së për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës dhe seancës në Kushtetuese, Bumçi deklaroi se ministrja ka shkelur ligjin.

“Qeveria i ka dhënë bashkëshortit të saj statusin investitor strategjik. Ky status i ka dhënë të mira dhe lehtësira, por ligji nuk e lejon që një ministre të marrë vendime në një konflikt të qartë interesi. në të kaluarën GJK ka marrë vendime për çështjes shumë më pak me peshë për disa mijëra euro tendera ku i ka hequr mandatin deputetëve. Kemi precedent kur ky ligj është zbatuar”, tha ai.

Lidhur me çështjen në gjykatë për PD-në, Bumçi theksoi se opozitat janë vullnete të lira të qytetarëve të lirë të këtij vendi.

“Opozita nuk përcaktohet nga qeveria, nuk krijohen në gjykata, por nga njerëzit.
Atij projekti për të vrarë opozitën qytetarët shqiptarë i dhanë përgjigje dhe ky është një lajm i jashtëzakonshëm.
Nëse në Serbi Vuçiç ka arritur të shpërbëjë opozitën, Rama e synoi dhe nuk e arriti këtë në Shqipëri dhe kjo është falë gjithë shoqërisë. Opozita është produkt i një shoqërie.
Rezistenca e kësaj opozite është shembulli më i mirë që kjo shoqëri ka sot antitrupat ndaj një sistemi autoritar që synon të vendoset”, tha Bumçi.

Lidhur me aksionin opozitar, ai tha se përballja ka dy elementë. “Elementi i parë është përgatitja për betejën dhe për herë të parë ne kemi kandidatë që kanë dalë 5 muaj para zgjedhjeve. Ky koalicion i madh në bazë të zonave ka dhe aleanca që ndërtohen me grupe interesi, me grupe qytetarësh. Kemi përballë një qeverisje që nuk ka më justifikime. Është në vitin e 10-të qeverisjes dhe qeveris i vetëm, në pushtetin vendor qeveris i vetëm, çfarë do të thotë? Nuk mund të justifikohesh se nuk punoi bashkia x… Ky përqendrim i pushtetit në një dorë ka sjellë falimentimin e bashkive, kjo nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Kavaja, Vora, janë më shumë se gjysma e bashkive që kanë falimentuar”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: