TIRANË
Nënkryetari dhe deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi ka folur sot në studion e emisionit “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 për situatën politike, aksionin e opozitës si dhe reagimet nga maxhoranca.
Bylykbashi deklaroi se seanca e së enjtes ishte ashtu siç duhet të jetë me debate dhe argumente të forta.
“Një seancë parlamentare është ajo, nuk është ajo situata tjetër. Po ti kthehemi debatit të buxhetit të vitit që shkoi nuk ishte debat për buxhetin, ishte një turp, 8 minuta. Të flasësh për një seancë plenare duhet të kuptosh një debat të shëndoshë, ku janë argumentet e palëve të forta, debatet mund të jenë dhe të ashpra. Ajo e së enjtes është një seancë e cila i dha mundësinë opozitës të shprehë qëndrimet e saj në raport me një aspekt kaq të rëndësishëm siç ishte buxheti.
Ne nuk kemi marrë kurrë vendimin për të braktisur parlamentin. Kishim mbetur vetëm 7-8 deputetë pa përjashtuar, të tjerët ishin të përjashtuar pa ligj. Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar përjashtimet afatgjata, ky mekanizëm represiv parlamentar antikushtetuese dhe antiparlamentar i kishte nxjerrë jashtë kuvendit deputetët e opozitës”, tha Bylykbashi.
Ai deklaroi se kryeministri Rama ka si qëllim të mbajë opozitën jashtë parlamentit.
“Akuza është për Spiropalin, nëse nuk do kishte qenë vendimi i gjykatës që e shfuqizoi…kanë ndërmend dhe ta ankimojnë në Apel. Pra, qëllimi për të vazhduar për ta mbajtur opozitën jashtë është i qëndrueshëm, është i Edi Ramës. Vetëm komision etike nuk është. Kur ne e thërrasim për të shqyrtuar kërkesat tona nuk mblidhet. Vendimi për përjashtimin e kolegëve, kishte firmën e ish-deputetit të arrestuar Cyrbja. Grupi parlamentar i opozitës i përzënë.
Kryetari i kuvendit është numri dy i Republikës, nuk është një pozicion për të hipur e zbritur nga makina. Rregullorja është e një kampi përqendrimi, opozita disiplinohet si të jetë armiku. U përdor Garda dhe policia. Parlamenti është i padhunueshëm, ndërkohë para dy javësh patëm policinë e shtetit që ndërhyri në mënyrë antikushtetuese”, tha nënkryetari i PD-së.
Por a kishte dhunë nga opozita?
“Në dijeninë time dhe prokuroria e ka rrëzuar këtë aspekt. Nuk e ka parë si një vepër penale e cila kishte qëllime si ato që thotë maxhoranca. Çdokush duhet të ngjitet në lartësinë e asaj karrigeje të numrit dy të shtetit, nëse nuk ngjitet dot, problemin e ka personi. Kryetari i Kuvendit duhet të garantojë zbatimin e rregullave dhe procedurës që mundësojnë debatin parlamentar. Sipas raportit të KE, parlamenti mund të funksionojë në mënyrë të kënaqshme”, tha ai.
(BalkanWeb)