Ish-deputetja e PD Dhurata Çupi me anë të një statusi në “Facebook” ka reaguar pasi në Dibër, këshilltarët votuan “pro” që Edi Rama të bëhet “qytetar nderi i Dibrës”.

Çupi shprehet se Edi Rama është kryeministri më qesharak në botë. Ajo shton se në Dibër votat vidhen, mbizotëron varfëria dhe njerëzit kanë emigruar, ndërsa këshilltarët në Dibër luajnë teatër.

  • foto galeri

Statusi i saj:

Edi Rama, kryeministri më qesharak në botë

Kam marrë këto dy orë me qindra mesazhe nga dibranë të fyer prej teatrit të shëmtuar që u luajt mes vartësve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Dibrës dhe punëdhënësit të tyre me seli më Tiranë.

Njëra palë, për turpin e vet, e shpall Qytetar Nderi Kryeministrin që vodhi zgjedhjet në Dibër, pala tjetër bën sikur nuk di gjë për surprizën e vartësve dhe shpik refuzimin e titullit, duke u bërë po aq qesharak dhe i pabesueshëm sa edhe servilët që e rrethojnë në Tiranë dhë në Dibër.

Zgjedhja e Dibrës si teatër eksperimental për tekat e pushtetit të Edi Ramës, i përqesh dibranët, i përçmon ata, nëpërkëmb dinjitetin dhe mençurinë e tyre, njësoj si në zgjedhjet e 2016-ës, kur diktoi rezultatin me dhunën e krimit, të parave të pista dhe të keqpërdorjes së shtetit.

Propozimi i vartësve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Dibrës për t’i dhënë titullin Qytetar Nderi, nuk është asgjë më pak se fyerje e dinjitetit të dibranëve të ndershëm. Gjatë historisë së tyre, ata janë identifikuar me intelektualë dhe profesionistë të nderuar, jo me profesionistin e vjedhjes së votave, kryeministrin e dosjes 184, kryeminsitrin e zero investimeve për Dibrën, kryeministrin e papunësisë dhe dëbimit të rinisë në emigracion.

Kjo është arsyeja pse dibranët u shprehën të revoltuar nga tallja që iu bë atyre sot nga politikanë që kanë lidhur fatin e tyre me një grusht kriminelësh e oligarkësh, me të cilët ndajnë grabisin dhe ndajnë pasuritë e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë.

Shumë shpejt, Edi Rama do ta shohë vetë se ai nuk është i mirëpritur në Dibër, se Dibra i refuzoj dhe i ndëshkon ata që e tallin dhe e çnderojnë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb