Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se do t’u japë pensionistëve shpërblim nga pesë mijë lekë në muajin prill, ndërkohë që do të rrisë edhe pagat mesatare.

Deklarata e tij vjen rreth 50 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

News24 raportonte dje se deklarata e kreut të qeverisë bie ndesh me Kodin Zgjedhor që parashikon se nuk mund të ketë rritje pagash dhe pensionesh 4 muaj para zgjedhjeve.

Në nenin 91 në fakt flitet për zgjedhjet politike dhe këtë pikë kreu i qeverisë e përdori teksa tentoi të bënte një përgënjeshtrim për lajmin e News24.

“Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimit të qeverisë së re. Leximin me zë ua bëjnë pensionistët në 14 maj”, deklaroi Rama.

Por në fakt është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili thotë se fryma e Kodit sugjeron që KQZ-ja të monitorojë sjelljen e institucioneve para zgjedhjeve.

Ai e tha qartë në një intervistë për Panorama Tv se kryeministri Rama nuk mund t’i rrisë pagat as para zgjedhjeve lokale, duke thënë se në të tilla raste ka edhe sanksione.

Intervista e Celibashit:

Ilirjan Celibashi: E vërteta është se ajo dispozitë lidhet me zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin, por gjithsesi në frymën e saj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke e monitoruar sjelljen e institucioneve publike.

Endri Xhafo: Edi Rama jo më larg se sot tha se do i rrisim pensionet dhe pagat përsëri.

Ilirjan Celibashi: Nëse e ka premtim elektoral, mund ta bëjë si premtim elektoral, por nëse e vendos sot dhe i gjen paratë, këtë nuk e bën dot.

Endri Xhafo: Po nëse e bën? Cili është penaliteti?

Ilirjan Celibashi: Po e bëri këtë nuk e di, por nëse ai thotë sot, ka penalitete dhe sanksione.

Endri Xhafo: Do keni guxim ta penalizoni?

Ilirjan Celibashi: Po, si mendon do e kemi guximin?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb