TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas botimit të fakteve dhe dokumenteve për promovimin e zyrtarëve me precedent penal në dogana.

News24 publikoi një investigim mbi emërimet në Doganën shqiptare të personave të dënuar në Greqi për vjedhje, grabitje, kontrabandë e grup kriminal, si dhe dokumente që implikojnë Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Genti Gazheli në emërime të personave me precedentë penalë në sektorë kyçë të doganave, gjë që solli reagimin e kryeministrit.

Rama shkruan se nuk ka mbajtur anë, por se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet.

Ai deklaron se Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare.

POSTIMI I PLOTË
Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet! Dhe siç shihet edhe këtu, kjo nuk ndodh, po vazhdon avazi!
Madje unë s’fola thjesht për këtë grup mediatik që nxjerr “fakte” të 2016-ës pasi pronari i tij gjobitet për fshehje të konsiderueshme të ardhurash në biznesin e tij! Po fola për të gjitha mediat, sepse kjo liria e medias pa të drejtë replike për ato vetë mban erë të keqe shumë!
Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion!
Asgjë personale, po vetëm logjike dhe parimore. Ligj për shpifjen jo! Ligj për fyerjet e mediave jo! Gjyqe me media e me gazetarë jo! Reagime siç e meritojnë shqip fare në këto raste jo! Po as ankesa për të drejtën e publikimit të qëndrimeve pas një sulmi?! Më duket e çuditshme!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: