TIRANË – “Dekriminalizimi i ‪PD-së është ‬ një maskë që bie sa herë të vajmedetshmit e Shqup-it hapin gojën kundër Policisë së Shtetit…Pra, 2 herë në ditë.”

Me këto dy fjalë i është përgjigjur sot, kreu i Qeverisë, kryetarit të PD-së dhe opozitës në tërësi, për të gjitha akuzat që i janë drejtuar si i lidhur me krimin, nisur nga rasti i dy deputetëve të mazhorancës në arrest shtëpie, ndalimi i dy zyrtarëve të Interpolit, dorëheqja e kreut të Policisë së Shtetit e deri tek prania e deputetit Arben Ndoka në krah të Ramës, në Lezhë.

Akuzat e PD-së sot:

BASHA: “Kryeministri i kriminalizimit kërkon të bëhet patjetër qesharak me sulmet dhe kërcënimet ndaj opozitës, pas skandalit të paprecedent ku është zhytur këmbë e duar me fshehjen e kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin e tij.”

RISTANI: “Skandalet e këtij pushteti që punon me krimin dhe për krimin nuk kanë të sosur.Një fakt i tmerrshëm doli përsëri në dritë dje, që tregon se deri ku janë zhytur në skemën kriminale, Edi Rama dhe Ilir Meta, në lidhje me akuzat se kryetari i kuvendit ka porositur vrasjen e dy deputetëve.”

BASHKIA: “Në 21 qershor, qytetarët e Tiranës do ta ndëshkojnë me votë politikën e bllokimit dhe e gjithë Shqipëria do të rrëzojë politikën e mashtrimit, varfërisë, papunësisë dhe kriminalizimit.”

BERISHA: “Sot këshilli i vrasëve largoi dhe flaku si limon të shtrydhur, vrasësin, cubin mercenar që rrënoi Policinë e Shtetit, Artan Didi. Shkarkimi i tij u bë për të larë duart me krimin e fshehjes nga Edi Rama për tre muaj të kërkesës së autoriteteve belge për ekstradimin e Mark Frrokut për vrasje.”

PD: “Edi Rama dha sot një mesazh të hapur kundër dekriminalizimit, duke u shfaqur në Lezhë me deputetin Arben Ndoka në prani të qytetarëve, madje duke e angazhuar në shpërndarjen e disa tapive.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb