Partia Demokratike vijon sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me udhëtimet e këtij të fundit jashtë Shqipërisë.

Në një deklaratë nga selia blu, deputeti Kreshnik Çollaku pyet kryeministrin Rama se kush ja ka paguar udhëtimin në Munih, si dhe nëse ka udhëtuar me charter në Suedi, Skoci, Liban, Itali, Egjipt.

Sipas deputetit demokrat, “Edi Rama përdor propagandën bajate për t’u fshehur tek të vërtetën e shqiptarëve për udhëtimet e tij prej sheiku me charter privat”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI KRESHNIK ÇOLLAKU

Edi Rama përdori sërish të vetmen gjë që ka arritur te qeverisja e tij 8-vjeçare, propagandën për të fshehur të vërtetën për udhëtimet e tij luksoze me charter privat.

Edi Rama refuzoi të japë informacion kush e pagoi qëndrimin e tij në hotelet luksoze të Mynihut ndërsa ai ndodhej atje për të pastruar imazhin e tij të nxirre nga krimi dhe korrupsioni.

Luksi i shfrenuar i kryeministrit të popullit më të varfër  të rajonit, dhe që nga keqqeverisja e tij rënditet ndër azilkërkuesit më të mëdhenj në botë përshkruhet më së miri nga gazetarja në intervistën e përkthyer dhe shpërndarë nga vetë zyra e kryeministrit citoj “Është e diela e parë pas Vitit të Ri. Një Porsche, tip ”Panamera GTS”, e zezë, përplaset pak në një pirg dëbore në parkingun prapa Bergsteigerdorf Kreuth. …Është Edi Rama, …..kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, …Ne kemi rënë dakord të bëjmë një xhiro në Wildbad Kreuth-in legjendar, dikur një perlë e familjes mbretërore bavareze Wittelsbach dhe një llixhë për carët rusë dhe perandoreshat austriake. Sot, investitorët nga Gjermania dhe jashtë vendit vërshojnë me milionat e tyre…

Kryeministri i një populli shumica e të cilit nuk siguron dot në këtë dimër të ftohtë, mjaftueshëm ushqim dhe ngrohje për fëmijët, shkon për një intervistë në Mynih, udhëton me Porsche e qëndron në hotele luksoze. Me paratë e kujt? A janë këto paratë e shqiptarëve?

Edi Rama përdor propagandën bajate për t’u fshehur tek të vërtetën e shqiptarëve për udhëtimet e tij prej sheiku me charter privat.

Në emër të shqiptarëve po e pyesim sot sërish Edi Ramën.

A ke udhëtuar në Malmo të Suedisë me Charter?

A ke udhëtuar drejt Sofjes, me charter?

A ke udhëtuar drejt Ohrit, me charter?

A ke udhëtuar drejt Bejrutit, me charter?

A ke udhëtuar drejt Italisë, me charter?

A ke udhëtuar drejt Kajros, me charter?

A ke udhëtuar drejt Beogradit, me charter?

A ke udhëtuar drejt Skocisë dhe Britanisë së Madhe, me charter?

A ke udhëtuar drejt Mynihut, me charter?

Në përpjekje për të fshehur të vërtetat, Kryeministri ka deklaruar se shpenzimet e tij më të larta për udhëtime jashtë vendit janë realizuar në vitin 2014 dhe kapin vlerën 4.6 milionë lekë. Por pagesat nga thesari tregojnë se Këshilli i Ministrave ka shpenzuar 21.8 milionë lekë për kategorinë e shpenzimeve ‘udhëtime jashtë vendit’.

Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave ka shpenzuar 4 milionë lekë, në vitin 2016 ka shpenzuar 27.3milionë lekë, në vitin 2017 janë shpenzuar 22.7 milionë lekë, në vitin 2018 janë shpenzuar 27.8 milionë lekë dhe në vitin 2019 janë shpenzuar 32.5 milionë lekë.

Pa llogaritur udhëtimet me charter të Edi Ramës gjatë vitit 2020, Këshilli i Ministrave ka shpenzuar 13.4 milionë lekë për udhëtime jashtë vendit ne vitin 2021 14.6 milionë lekë.

Gjithsej 171 milionë lekë qeveria ka shpenzuar vetëm për udhëtime, pa llogaritur kostot e udhëtimeve me charter ku vetëm karburanti për një udhëtim llogaritet në 120 mijë euro.

Rama është i korruptuar.

Qeveria e tij është e korruptuar.

Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim.

Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb