Kryeministri Edi Rama tha në fund të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës se dy vendet nuk mund të hapin totalisht kufijtë, pa u bërë pjesë e projektit të minishengenit rajonal.

Sipas Ramës, nëse ndodhë një gjë e tillë, Uashingtoni dhe Brukseli, por edhe Beogradi, do të ngrihen e të thotë se po krijohet “Shqipëria e Madhe”.

Ndaj dhe sipas kryeministrit shqiptar duhet që Shqipëria dhe Kosova të jenë pjesë e shengenit rajonal, në mënyrë që askush të mos guxojë ta quajë heqjen e kufijve si tentativë për “Shqipëri të Madhe”, raporton “BalkanWeb”.

“Jam i bindur dhe i vendosur, aq më tepër kur flitet për proteksionizëm si vendet tona, që e kanë të domosdoshme të ndërveprojnë, të hapen, të zgjerohen, në pikëpamje të rrezes së aktiviteteve ekonomike. Gabimi që bëhet shpesh, disa e bëjnë me qëllim, disa të tjerë e bëjnë se nuk duan të kuptojnë, dhe disa e bëjnë se nuk janë të interesuar të hyjnë më thellë, që ne të mbyllemi, të prodhojmë domate e patate tona, të vëmë embargo. Janë kategori njerëzish që nuk kuptojnë lidhjen mes çlirimit dhe barrierave, mes nesh dhe shengenit rajonal.

Shqipëria dhe Kosova nuk mund të vendosin në mënyrë bilaterale për të hequr kufirin, për arsye se jo Beogradi, por Uashingtoni dhe Brukseli, do të ngriheshin, dhe janë ngritur menjëherë sa bëhet një deklaratë. Rruga është që për interesin dhe përfitimin tonë ne të hyjmë në këtë kontekst, ku kemi hyrë tashmë, që ne të zbatojmë katër liritë. Sot ne folëm për heqjen e kufirit. S’ka si guxon njeri në Beograd, Uashington apo Bruksel të ngrihet e të thotë se po bëhet “Shqipëria e Madhe”. Nuk na thotë dot ne Serbia në këtë proces ‘pse bëni këtë me Kosovën’, ‘pse nuk e bëni me ne’, etj. Po kur thonë ca ‘e nxore serbin në det’. Me çfarë e nxora, me kuaj, me shpata? Deti është i shqiptarëve, nuk është i serbëve, edhe porti i shqiptarëve.

Tani ne të bëjmë një port të përbashkët e të themi se nuk pranojmë mallrat e të tjerëve, se janë me Covid? Është çmenduri dhe shpresoj që kësaj çmendurie t’i ketë ardhur fundi e të mos na rikthehet prapë”, tha Rama.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se Kosova do të ulet në tryezën e përbashkët të liderëve rajonalë si e barabartë për të diskutuar këtë iniciativë për shengen rajonal, që sipas tij, është e përkohshme, pasi interesi është një shengen i plotë në BE.

“Theksoj se ideja e minishengenit është një projekt i përkohshëm. Interesi jonë është për një shengen të plotë në BE. Shpejt do të dimë saktësisht se si do të lëvizim përpara. Në tryezën e liderëve rajonalë ne do të ulemi ta diskutojmë këtë iniciativë, sepse është vetëm në nivelet e iniciativës, dhe sigurojmë që ne ulemi si të barabartë me të tjerët”, u shpreh Hoti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb