TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka sfiduar Kodin Zgjedhor duke folur për rritje pagash një muaj para zgjedhjeve. Rama duke zbardhur sot vendimin e qeverisë për rritjen e pagës mesatare brenda një viti në 900 euro.

Ai ka dhënë dhe kategoritë e profesioneve ku do të ketë rritje të pagave në dy faza.

“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se në harkun e një viti paga mesatare në Shqipëri do shkojë nga 563 euro që është sot në 900 euro. Rezultat i përpjekjeve, reformave, punëve të bëra për të ardhur në ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ku me shumë të drejtë ku familjet shqiptare presin në arkën e buxheteve të tyre.

Realisht kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të ekonomisë, pavarësisht goditjeve që Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë në vazhdën e disa krizave rresht. Ia kemi dalë jo vetëm të rezistojmë, të adresojmë plagë të rënda. Vazhdojmë sot që flasim të mbështesim të gjitha familjet dhe të gjitha bizneset e vogla në mënyrë që të mos shohin asnjë qindarkë rritje të çmimit të energjisë në faturën e tyre dhe sot mund t’iu themi të gjithëve se është dita për të marrë ata vetë, jo thjesht komuniteti, bashkia, vendi, jo thjesht infrastruktura, kopshtet, çerdhet, spitalet e me radhë, por ata vetë drejtpërdrejt në arkën e tyre familjare frute nga kjo përpjekje dhe nga reformat që na kanë sjellë deri këtu”, tha Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi Financat dhe tha se pas shumë diskutimeve kemi rënë dakord që detyra jonë është t’u japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave. Ai prezantoi rritjen sipas kategorive.

“Nuk ka një kënaqësi më të madhe për mua se t’iu them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qendrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë. Apo t’u them mësuesve në arsimin e mesëm se paga e tyre do të shkojë mbi 100 mijë lekë. Apo në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë. Të gjitha këto janë shifrat bazë, pastaj vjetërsia e punës, kohëzgjatja në detyrë, kualifikimet bëjnë që gjërat të jenë dhe më mirë, se në nivelin bazë.
Është kohë t’iu bëjmë një rritje të konsiderueshme pedagogëve të të gjithë sistemit universitar me 20% duke iu dhënë diskrecion që ata të mund të shkojnë deri 30% sepse ata janë autonomë. Kënaqësi e posaçme që t’iu them sot infermiereve që do të kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh sipas pozicioneve në punë. Kemi rritur ndjeshëm pagat për FA-të, do vazhdojmë t’i rrisim”, tha Rama.

Ai shtoi gjithashtu në mënyrë të ndjeshme kemi rritur pagat për gjithë sistemin e sigurisë, do të vazhdojmë t’i rrisim.

“Kemi rritur pagat për zjarrfikësit dhe siç e pata premtuar, duke qenë gjithmonë e më të rëndësishëm për shoqërinë, pagën e zjarrfikësve do ta çojmë deri në 80 mijë lekë. E gjitha kjo do bëhet me dy hapa. Një hap i parë i menjëhershëm do të jetë tani me mësuesit, me sigurinë dhe me mjekët e infermierët menjëherë dhe ky hap i parë për gjithë të tjerët do të jetë pasi parlamenti të kalojë pr.ligji që ne sapo miratuam. Dhe pastaj hapi i dytë do të jetë për vitin e ardhshëm kur do të bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash në Republikën e Shqipërisë dhe do të mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare.
Do të ketë një efekt në buxhet të konsiderueshëm, por plotësisht të përballueshëm. Sipas kategorive janë shumë të konsiderueshme që vendosen në dispozicion”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se rritja e pagave nuk është sipas dëshirës, as sipas kalendarit elektoral. “Kjo nuk ka lidhje me fushatën elektorale. E kemi thënë prej kohësh. Nuk kemi nevojë që të rrisim pagat për të fituar zgjedhje. Në këtë fushatë do të mbjellim pemë me lekët e fushatës. Në vend që t’ja zëmë kohën njerëzve me shumë dhe tam-tame, të lëmë pas fushatës pas disa mijëra pemë që t’i kenë të moshuarit. Kështu që është retorikë pyetja juaj”, u shpreh Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb