TIRANË

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj deputetes Rudina Hajdari, e cila vijon të mbajë të bllokuar foltoren e Kuvendit, duke kërkuar të ndërpritet kjo seancë plenare, ku do të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Rama tha se nuk i shkon një gjuhë e tillë një nëne, një gruaje dhe një përfaqësueseje të Parlamentit.

Por, mes të tjerash, kryeministri ka shpërthyer ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke thënë se shembullin më negativ e ka ai, që sipas Ramës, nuk ka kapacitetin mendor dhe moral të përmbahet edhe kur është në krah të një përfaqësuesi të huaj. Me këtë, Rama nënkupton deklaratat e forta të Presidentit sot, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij të Bosnje-Hercegovinës.

“Nuk ka asnjë problem të më sulmoni mua, jam mësuar me origjinalin, kopjet s’më bëjnë fare përshtypje. dëgjova një zonjë këtu që fliste me një gjuhë që një grua nuk mund ta ketë, një nënë nuk mund ta ketë, një përfaqësuese e Parlamentit nuk mund ta ketë. Por cfarë faji mund t’i vë unë kësaj zonje, kur shembullin më negativ sot e jep Presidenti, që nuk ka kapacitetin moral dhe mendor që të përmbahet të paktën kur ka një përfaqësues të huaj në krah. Këtë nuk e ka bërë as Saliu”, tha Rama.

Më tej, referuar deputetëve të opozitës parlamentare, që kërkojnë të mos votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kryeministri Rama theksoi se nuk është hera e parë që pakica kërkon t’i imponohet shumicës me forma dhe me një gjuhë që nuk ka lidhje me atë që secili i mëson fëmijëve të vet.

“Është një histori që zhvillohet prej kohësh, nuk është hera e parë as e fundit që pakica kërkon t’i imponohet shumicës me forma dhe me një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me çka secili këtu në këtë sallë ju mëson fëmijëve të vet. Fatkeqësia 30-vjecare e këtij Parlamenti është në radhë të parë që iu jep atyre që e ndjekin dhe mbi të gjitha më të rinjve, për të cilët flitet shumë dhe në ajër, shembullin më të keq të edukatës elementare. Duke u kthyer te ligji, nuk ka një kompromis, ku një palë i fiton të gjitha. Kompromiset e mira janë ato ku të gjitha palët kanë një arsye për t’u mërzitur.

Edhe ne kemi arsyet tona për t’u mërzitur, madje kemi më shumë arsye ne, se palët që janë në këtë proces, qoftë brenda këtu, qoftë jashtë, por jemi të vetëdijshëm që detyrimi për të bërë kompromisin e nevojshëm për një proces ku të gjithë kanë të drejtën e tyre të marrin pjesë, atë të zgjedhjeve, është që të heqim dorë nga dëshira tonat. Unë nuk kam asnjë dyshim që nëse ne do të kishim kërkuar një kompromis nga ju për të vendosur bonusin për partinë e parë, ju do të na e kishit dhënë, por patjetër që kjo do të ishte e tepërt në raport me palën që nuk është këtu. Nga ana tjetër, për ata që nuk janë këtu, ky Parlament po bën më shumë se sa asnjëherë më parë për ndonjë palë që ka qenë këtu brenda, duke marrë në konsideratë kërkesat e tyre, edhe pse ata e braktisën Parlamentin”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb