Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin “Real Story”, në News24, se shumë shpejt do të krijohet një lëvizje e re politike, që do të bëhet partia e Presidentit.

Më tej, kreu i qeverisë theksoi se e gjitha kjo zhurmë po bëhet për Reformën Zgjedhore dhe Reformën në Drejtësi, pasi sipas tij, opozita e di që do të humbasë sërish në zgjedhje.

“Po ju them dy gjëra, e para shumë shpejt do të shikoni një lëvizje qytetare, që do të bëhet partia e Presidentit. Unë po ju them që shumë shpejt do të shikoni lëvizjen qytetare, që pak nga pak do të transformohet në parti, që është e lidhur me gjithë këtë për teatrin, për Kushtetutën, për atdheun. Sipas meje, kjo është e sigurt. E dyta, ju them se ajo që po ndodh dhe insistimi, se çfarë lidhje ka që shkojnë akoma atje, kur teatri u prish, ka të bëjë me faktin se zgjedhjet përsëri, do ta shikoni, janë të lidhur. Do ta shikoni shumë shpejt që zgjedhjet në Shqipëri do të lidhet me dy faktorë, frika për të hyrë në zgjedhje se mos humbasin dhe Reforma në Drejtësi. Ambsadorja e SHBA bëri sot një postim hermetik”, deklaroi kryeministri.

Më tej, Rama foli dhe për bisedën e zhvilluar me komisioneren e BE për shembjen e Teatrit Kombëtar, ku tha se e ka informuar atë për faktet dhe debatin me aktorët e vërtetë.

“Me komisioneren evropiane kam zhvilluar një bisedë relativisht të gjatë, ku i kam shpjeguar faktet. Në kohën kur është bërë debati me artistët e vërtetë, se këta nuk janë artistë, s’guxonin këta të SHQUP të kalonin gardhin. Ja dhashë këto argumente asaj. Këtu është e pavërtetë që s’ka pas dialog, që s’janë konsultuar ekspertët. Kurrë ky teatër nuk ka qenë në listën e monumenteve të kulturës. Jeni në metro apo, jeni në vete apo jo? Mos m’i letrat si ato të Sali Berishës, që i tundte. Ky teatër nuk ka qenë kurrë monument dhe këtë e them me përgjegjësi”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb