Nga: LEONARD OLLI*TIRANE-Edhe pse fushata për zgjedhjet vendore nuk ka fi lluar zyrtarisht, përcaktimi i kandidatëve ka qenë arsye e mjaftueshme që partitë politike…. dhe liderit e tyre të fillojnë nga puna në terren dhe jo vetëm. Edhe pse mazhoranca publikisht ka deklaruar se nuk do të përdorë asnjë aset shtetëror apo institucionet në varësi të qeverisë, realiteti është shumë larg këtij premtimi të pa mbajtur që në gjenezë. Edhe pse mazhoranca është përgjegjëse kryesore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në tërësinë e vet, pavarësisht se ka premtuar për një fushatë me tone të qeta dhe qytetare, sërish është shumë larg të gjitha standardeve.

Në një vështrim të shpejtë gjen mjaft shembuj incidentesh që provojnë se qeveria e kryesuar nga Rama është shumë larg standardeve të premtuara. Incidentet e provokuara deri më tani nga militantë të PS dhe LSI dëshmojnë se provokime të tilla vetëm spontane nuk mund të jenë. Rasti i përplasjeve fizike në Durrës apo karrigia e hedhur mbi njerëzit, në afërsi të vendit ku fliste lideri i opozitës Basha, në Ersekë janë paradigma konkrete se akte të tilla nuk mund të jenë emocionale. Përkundrazi, janë të qëllimta dhe argumenti më bindës për këtë është fakti se liderët të dyja partive të majta, si Rama ashtu edhe Meta janë mjaftuar me deklarata false, pa dënuar apo pa kërkuar sinqerisht që militantët e tyre të ndalin çdo akt dhune, madje kandidatët respektivë nuk kanë ngurruar të justifikojnë këto veprime, duke dëshmuar se janë vetë ata porositësit e dhunës.
E nëse do ishin vetëm këto raste, në realitetin konfliktual shqiptar mund të shiheshin edhe si veprime idiote kandidatësh apo drejtuesish lokalë partiakë, por ajo çka po ndodh dita-ditës të bind se kemi të bëjmë me një koncept të fortësh, të frymëzuar nga qeveria dhe kryeministri. Ngjarjet e rënda në Malësinë e Madhe ku forcat speciale të Policisë së Shtetit terrorizuan popullatën pas vizitës së liderit të opozitës, Basha, apo burgosja për një natë e një drejtuesi lokal të PD-së në Berat janë prova të qarta se kërcënimi dhe shantazhi ndaj opozitës është i urdhëruar dhe fatkeqësisht Policia e Shtetit tashmë në duar militantësh fanatikë, verbazi zbaton urdhrat politikë të Ramës dhe Metës. Është një regres i jashtëzakonshëm për organizatën e Policisë, pasi prej vitit 2007 e në vijim ajo ishte vlerësuar gjithmonë edhe nga faktori ndërkombëtar për respektimin rigoroz të ligjit dhe rolit të saj në proceset zgjedhore.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ajo çka disa herë kam nënvizuar në shkrimet e mia se kjo mazhorancë e ka nxjerrë tërësisht nga shinat e ligjit Policinë, duke e trajtuar si një mjet dhune e presioni qeveritar për të larë duart me kundërshtarët politikë, por edhe me të gjithë ata që nuk e mbështesin nuk është më një hipotezë, por një fakt kokëfortë, duke rrezikuar çdo standard zgjedhor, që me aq mund është konsoliduar deri më tani.
Rama nuk ndalet së ecuri me këmbëngulje në drejtimin e gabuar. I friguar nga rezultati i pritshëm në këto zgjedhje vendore, nuk është mjaftuar vetëm me mekanizmat shtetërorë të dhunës, por tash e tutje, duket i vendosur që përpos saj të përdorë edhe dhunën verbale, pa as më të voglin skrupull, hezitim apo petk kryeministror.

Ajo çka para pak ditësh u përdor si një shembull i “pafajshëm”, se gjasme një kryebashkiak i zgjedhur nga opozita kishte frikë ta takonte në zyrë, ishte fillimi i një propagande shumë larg demagogut të regjur që i shfaq në përgjithësi. Frika për atë çka mund të pasojë e ka detyruar të heqë dorë nga të gjitha metodat e sofistikuara alla fasade dhe të shfaqet në gjithë lakuriqësinë e tij politike.
Rama haptazi po ushtron një dhunë të pashembullt verbale, duke provuar se politikat e tij bllokuese nuk janë thjesht veprime sporadike, por një filozofi e qartë politike dhe praktikë pune.
Edhe pse në dukje shumë qesharake, deklaratat e tij se do të bllokojë çdo njësi vendore që do të fitohet nga opozita apo për më tepër se “kandidatët e opozitës nuk i hyjnë në punë as dreqit”, pa dyshim që përbëjnë një akt të paprecedent në historinë postkomuniste të vendit tonë. Ajo çka përbën një veprim madje deri në kufijtë e një vepre penal është fakti se këto deklarata vijnë nga kasetat e gatshme që stafi i Ramës i përcjell vetë medias. Një tjetër provë kokëfortë se nuk ka lapsus, por ka një kërcënim të qartë se qeveria do t’u presë fondet e buxhetit të shtetit bashkive që do fitojë PD, madje duke pohuar se “s’do keni ujë”, “s’do keni bukë”, “s’do keni rrugë” sepse “qeveria s’mund të bashkëpunojë me ata”. Thënë ndryshe do të ndëshkojë shqiptarët me bukën e gojës, nëse nuk votojnë ushtarët e bindur që ai u ka servirur për drejtues bashkish.

Në fakt, Rama ka dhënë prova të qarta se këtë koncept e ka implementuar me shumë “sukses” ndaj të gjithë shqiptarëve pa dallim, të majtë apo të djathtë, në drejtimin e shtetit gjatë vetëm dy viteve qeverisje, por që nuk e kishte artikuluar kaq qartë dhe kaq hapur. Arroganca kryeministrore, tashmë është shndërruar në një delir, në ndjesinë e një skllavopronari që mund të bëjë, çfarë të dojë me skllevërit e vet, t’i lejë pa bukë, t’i detyrojë të ikin nga sytë këmbët nga “perandoria” e vet, madje edhe t’ua hedhë luanëve për ushqim.
Në mbretërinë e paranojës dhe ligësisë absurde, ku mendon se mbretëron, Rama ka harruar se dita e gjykimit popullor është shumë pranë dhe fundi i klikës së tij, shumë më i shpejtë nga sa beson ai.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: