Kandidati i PD për deputet në Lezhë, pedagogu Agron Gjekmarkaj ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

Gjekmarkaj shkrun se Rama nuk ka pasur asnjë sukses në qeverisje, por shumë të tillë në modele, teksa nuk i kursen epitetet për të. Sipas tij, si saraj personal e ka bërë Shqipërinë së bashku me sejmenët e tij pa gjini dhe se tani, atë që se ka bërë në tetë vjet na premton se do e bëjë në katër.

POSTIMI I PLOTË
Edi Rama si një rraqe për t’u hedhur!
Edi Rama i humbet zgjedhjet për meritën e vet të plotë! Ai nuk ka pasur asnjë sukses në qeverisje, por shumë të tillë në modele! Mund t’i rreshtojmë disa. Rama është Kryeministri më i gjatë, më shallvarëgjëri, më ekzibicionisti në gojështhurje, më arroganti, peng i lacave dhe bracave, rrugëhapësi i tyre në parlament e pushtet lokal. Gënjeshtar organik, bahçevan i banalitetit, kultivues i servilizmit, rrafshues i parasë publike, lërues i arave kanabike, dëbues i shqiptarëve në emigracion, i dyshimtë vetë si emigrant. I papunë me shumë fjalë mbi punën, natës i thotë ditë e ditën e bën të padobishme, kapës i drejtësisë i kapur vetë nga të padrejtët, lubrifikant i korrupsionit vetë më mendime të thata, zaptues i hapësirës mediatike në të cilën ka plot kamerier lepe peqe. Mit për Elisen, Etilden, Olgerten, Damjanin, Arbenin, Nikon, Beqen e shumë të tjerë kulturogë e akademike si këta dhe bashkë me ta i urryeshëm për shumicën e shqiptarëve!
Edi Rama ka tetë vjet që detyroi popullin të ikë, tani do të kthehet Populli dhe do ikë Rama. Si saraj personal e ka bërë Shqipërinë së bashku me sejmenët e tij pa gjini! Ai vetëm premton dhe në çdo rast kuturis një gënjeshtër!
Tani atë që se ka bërë në tetë vjet na premton se do e bëjë në katër! I janë zënë veshët, i janë lëbyrur sytë. Nuk kupton që Shqipëria kërkon dëbimin e tij, por jo, ai kacavirret me thonj, këlthet, ulëret, bërtet! E ka tejkaluar me kohë mërzinë, çdo cak të dëmit po ashtu, duke fituar përbuzjen e popullit të tij!
Edi Rama është kurajoz, është kurajoja e atij që ka frikë e atij që njeh vetveten në raport me bëmat e pushtetit dhe fatin e mëpasshëm dhe o burra kërkon e kërkon me kotelet e tij nga pas që mjaullijnë si shpirt i keq!
Edi Rama është i paditur, i palexuar në thelb i pashkollë me aftësi jo të vogla manipulimi!
Edi Rama nuk ka më program, nuk ka më skuadër, nuk ka me forcë, është thjeshtë një rraqe e historisë tashmë që po shkon pandalshëm në muzeum ose tek katër penxheretë!
Në Lezhë po nxjerrim lëndën e parë për t’ia bërë sa më të lehtë jetesën e re!

Gjekmarkaj Fb
Gjekmarkaj Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb